Anëtarja e kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Taulanda Jupi, ka uruar 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke dhuruar një kopje të librit “Reçak” të Ambasadorit William Walker në bibliotekën e Universitetit të Arteve.
Ajo e cilësoi Kosovën si një arkivë dhimbjeje dhe sakrifice, por edhe si një histori të lavdishme të qëndresës dhe luftës për liri.
“17 vite Pavarësi e Kosovës – Kujtesë dhe Nderim
Sot, në këtë ditë të shënuar për Kosovën, pata nderin t’i dhuroj bibliotekës së Universitetit të Arteve kopje të librit “Reçak” të Ambasadorit William Walker, në praninë e Prof. Miltjadh Kutali, Dekanit të Fakultetit të Artit Skenik.
Kosova është një arkivë dhimbjeje dhe sakrifice, por edhe një histori e lavdishme e qëndresës dhe luftës për liri nga tirania. Sot, ajo është simbol i demokracisë dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor.
Studentët dhe të rinjtë tanë kanë nevojë të njohin të vërtetën historike të kombit përmes dëshmive të gjalla të atyre që panë me sytë e tyre genocidin ndaj popullit të Kosovës. Historia nuk duhet harruar.
Pa kujtesën historike, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen e dinjitetshme.
Gëzuar Kosovë ditën e Pavarësisë!”