Spiralja e luftës tregtare me SHBA-në e BE-në, Kina kontroll “të hekurt” mbi teknologjinë, mineralet dhe inxhinierët


Pekini po shtrëngon kontrollin e tij në teknologjitë më të përparuara kineze, duke synuar të mbajë njohuritë e rëndësishme brenda kufijve të tij ndërsa tensionet tregtare me SHBA-në dhe Evropën po përshkallëzohen.

Autoritetet kineze në muajt e fundit e kanë bërë më të vështirë për disa inxhinierë dhe pajisje largimin nga vendi, kanë propozuar kontrolle të reja të eksportit për të ruajtur teknologjitë kryesore të baterive dhe kanë lëvizur për të kufizuar teknologjitë për përpunimin e mineraleve jetike, sipas të dhënave të shumta të industrisë dhe njoftimeve të ministrive.

Mbrojtja e teknologjive kryesore vjen mes tarifave të shtuara nga presidenti amerikan Trump dhe një përplasjeje tregtare me Evropën për makinat, të cilat kërcënojnë të nxisin më shumë grupe vendase dhe të huaja për të zhvendosur prodhimin diku tjetër.

Ndër kompanitë që do goditen është partneri kryesor i prodhimit të Apple, Foxconn, i cili ka udhëhequr diversifikimin e zinxhirit të furnizimit të grupit të Silicon Valley në Indi.

Njerëz të njohur me këtë çështje thanë se zyrtarët kinezë e kishin bërë të vështirë për prodhuesin e kompanisë në pronësi tajvaneze dërgimin e makinerive dhe menaxherëve teknikë kinezë në Indi, ku Apple është e prirur të ndërtojë zinxhirin e saj të furnizimit.

Një menaxher në një kompani tjetër elektronike tajvaneze tha se edhe ata po përballeshin me sfida për dërgimin e disa pajisjeve jashtë Kinës në fabrikat në Indi, megjithëse ai vuri në dukje se dërgesat në Azinë juglindore mbetën normale.

Një zyrtar indian pretendoi se Kina po përdorte vonesat doganore për të penguar rrjedhën e përbërësve dhe pajisjeve që shkonin në jug.

“Lojtarëve të furnizimit të industrisë elektronike u është thënë të mos krijojnë operacione prodhimi dhe montimi në Indi,” tha zyrtari, duke kërkuar të mos përmendet emri. Kontrollet informale duket se synojnë veçanërisht rivalin gjeopolitik të Kinës, Indinë, me disa grupe kineze që thonë se projektet në Azinë juglindore dhe Lindjen e Mesme mbeten të paprekura. Por Pekini gjithashtu po vendos gjithnjë e më shumë kufizime formale të eksportit për teknologjitë kryesore që zbatohen në mbarë botën.

“Një zinxhir i fortë furnizimi dhe fuqia punëtore e aftë janë disa nga përparësitë  e pakta që Kina ka ende këto ditë,” tha një investitor në një kompani që përballet me probleme për lëvizjen e disa inxhinierëve jashtë vendit.
Ministria e Tregtisë e Kinës muajin e kaluar propozoi kufizime në eksportin e teknologjive që lidhen me nxjerrjen e litiumit dhe prodhimin e materialeve të përparuara ë baterive, dy fushat ku vendi ka një pozicion udhëheqës.

“Kina po ndërton një fuqi të madhe të kontrollit të eksportit,” tha Antonia Hmaidi, një analiste e lartë në Institutin Mercator për Studimet e Kinës.

“Në thelb ka të bëjë me mbajtjen e Kinës në qendër të zinxhirëve të furnizimit global,” tha ajo.

Hmaidi tha se Pekini shpesh synonte zonat afër majës së zinxhirit të furnizimit ku grupet kineze kontrollonin materialet dhe proceset teknologjike, duke lënë produktet përfundimtare të pakontrolluara.

Cory Combs në konsulencën “Trivium China” tha se ndërhyrjet që Pekini kishte bërë në zinxhirin e furnizimit të baterive përfaqësonin “një klasë të re të kontrolleve të eksportit”.

Nëse miratohen plotësisht, kontrollet mund të parandalojnë gjigantët e baterive të Kinës me fabrika në Evropë që të zhvendosin të gjithë zinxhirin e tyre të furnizimit jashtë vendit. Grupe të tilla si CATL mund të kenë nevojë të vijojnë importimin e materialeve të baterive si katoda të përparuara të litium fosfatit të hekurit (LFP) nga Kina në vend që të jenë në gjendje t’i prodhojnë ose blejnë ato në vend, sipas një personi të informuar për këtë çështje.

Zbulimet kineze në teknologjinë LFP kanë mbështetur rritjen e gjigantëve të baterive të saj, duke zhvendosur grupet koreano-jugore dhe japoneze, të cilat dikur mbizotëronin industrinë e baterive.

Në përpjekje për të kapur hapin, grupet koreane kishin filluar partneritetin dhe blerjen e katodave LFP nga Kina, e cila vitin e kaluar prodhoi 99 për qind të të gjitha materialeve aktive të katodës LFP, sipas Benchmark Mineral Intelligence.

Kontrollet e reja mund të kërcënojnë këto marrëveshje. Një zëdhënës i një prodhuesi kryesor korean të baterive, i cili kërkoi që kompania e tyre të mos emërtohej, tha se ata ia kishin komunikuar shqetësimet e tyre Ministrisë kineze të Tregtisë.

“Ne nuk mund të përjashtojmë disa efekte negative në partneritetin tonë me një kompani kineze nëse udhëzimet nuk pasqyrojnë shqetësimet tona,” tha personi.

Sam Adham, kreu i kërkimit të baterive në firmën e analizës CRU Group, tha: “Koreanët kanë nevojë për teknologji të nivelit të lartë kinez, por me kontrollet e reja të eksportit ata mund të jenë në gjendje të kenë qasje vetëm në teknologjitë e vitit të kaluar.”

Kufizimet e përshkruara në eksportimin e teknologjisë së nxjerrjes së litiumit mund të ndërlikojnë zhvillimet në vijim nga SHBA-ja në Amerikën e Jugut. Një person i afërt me CATL tha se grupi do duhet të aplikojë për licenca eksporti për të përdorur teknologjinë kineze në një projekt prej 1.4 miliardë dollarësh në Bolivi për të nxjerrë litiumin nga kripa të vendit. 

Anna Ashton, themeluesja e konsulencës së përqendruar në Kinë, “Ashton Analytics”, tha se grupet kineze kishin përdorur teknologjinë për të nxjerrë dhe përpunuar shëllirë të pasur me litium nga thellësia e nëndheshme duke i bërë të zbatueshme shumë projekte të reja minerare.

Në materialet dhe mineralet strategjike, Pekini ka zgjeruar dalëngadalë kufijtë duke përfshirë si eksportet kontrolluese të elementëve kryesorë – si mineralet e rralla tungsten dhe telur, ndër të tjera – ashtu edhe duke kufizuar teknologjitë e përdorura për nxjerrjen, rafinimin ose përpunimin e tyre.

Në dhjetor 2023, Kina zgjeroi kontrollet edhe më tej, në teknologjinë dhe proceset që i kthejnë tokat e rralla të rafinuara në metale dhe magnetë të përhershëm të përdorur në automjetet elektrike, turbinat e erës dhe elektronikë.

“Kina prodhon rreth 95 për qind të magnetëve të përhershëm në botë,” tha një punonjës i një grupi amerikan që ndërton një zinxhir furnizimi alternativ.

“Efekti neto i këtyre kontrolleve të eksportit është se diversifikimi industrial në disa prej këtyre zinxhirëve të furnizimit është i kufizuar.”

Ministria e Tregtisë e Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Foxconn dhe CATL nuk pranuan të komentojnë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani