Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e votës së diasporës, duke e konsideruar atë një premtim të pambajtur dhe të manipuluar nga qeveria.
Ajo denoncoi presionet ndaj shqiptarëve të diasporës që kanë mbështetur opozitën, duke përmendur raste konkrete nga Michigan-i, ku qytetarëve u janë përdorur fotot për t’i intimiduar dhe për të ndëshkuar familjarët e tyre në Shqipëri.
Tabaku theksoi se largimi masiv i shqiptarëve nga vendi nuk është një fenomen i rastësishëm, por pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi të korruptuar, i cili, sipas saj, po ekspozohet më shumë se kurrë.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në drejtësi, ajo i cilësoi arrestimet e fundit si një pikë kthese në historinë e korrupsionit politik në Shqipëri.
“Nuk është vetëm një kryebashkiak i korruptuar, por një skemë e organizuar që ka rrjepur buxhetin e shtetit për vite me radhë,” deklaroi Tabaku, duke denoncuar se fondet publike janë shpërndarë përmes një rrjeti të mirëkoordinuar kompanish dhe organizatash të kontrolluara nga individë të afërt me pushtetin.
Duke e quajtur qeverinë aktuale një “familje socialiste” që ka ndërtuar një sistem klientelist për pasurimin e një grushti njerëzish, Tabaku theksoi se ky model nuk është thjesht korruptiv, por një mekanizëm i ngritur për të shtypur qytetarët dhe për të shpërblyer një pakicë.
Ajo paralajmëroi se rrëzimi i një segmenti të kësaj piramide nuk do të ndalojë përpjekjet e opozitës për të ekspozuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
“Ky sistem nuk do të shembet me një arrestim,” theksoi deputetja demokrate, duke shprehur bindjen se beteja për transparencë, ndarjen e politikës nga biznesi klientelist dhe vendosjen e meritokracisë duhet të vazhdojë. Sipas saj, opozita ka një alternativë të qartë për të ndryshuar këtë realitet dhe për të ndërtuar një shtet të bazuar në rregulla të drejta për të gjithë.
Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës që të mos heshtin përballë kësaj situate, por të vazhdojnë të luftojnë për një Shqipëri ku e drejta, meritokracia dhe transparenca të jenë themelet e qeverisjes. “Nuk ka më vend për të reflektuar, është koha për të folur, për të luftuar dhe për të ndaluar këtë model të korruptuar që ka shkatërruar vendin,” deklaroi ajo.