Boçi sqaron deklaratën e Berishës për “shkrirjen” e SPAK-ut: Duam reformim të institucioneve, jo mosekzistencë të drejtësisë


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar në studion e News24 deklaratat e fundit të kreut të PD, Sali Berisha, i cili ka përmendur nevojën për “shkrirjen e SPAK” (Strukturës së Posaçme Antikorrupsion).

Boçi shpjegoi se kur Berisha flet për shkrirjen e SPAK, ai e ka në kuptimin e reformimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe sistemit të drejtësisë, si dhe raportit të tyre me Kushtetutën e Shqipërisë.

Ai theksoi se është thelbësore të kuptohet rëndësia e raportit rregullator të institucioneve, e jo thjesht emri i tyre.

“Nuk kemi ndryshuar mendim dhe kemi dhënë fakte e argumente. Berisha jep fakte therëse që SPAK nuk i kundërshton. Nuk po flasim për mosekzistencën e drejtësisë, por duhet një reformim,” u shpreh Boçi.