Prokurorët gjermanë kanë mbrojtur goditjen e tyre të fundit ndaj gjuhës së urrejtjes në internet, duke argumentuar se ligjet strikte të vendit synojnë të mbrojnë demokracinë, jo të mbysin shprehjen e lirë, mes kritikave në rritje, thanë raportet e shtypit të dielën.
Në një seri bastisjesh të bashkërenduara në gjithë vendin, policia shënjestroi më shumë se 50 individë të dyshuar për përhapjen e gjuhës së urrejtjes në internet, sipas CBS News.
Prokurorët thonë se operacioni është pjesë e përpjekjeve të vijueshme të Gjermanisë për të zbatuar ligjet që ndalojnë përmbajtjet që nxisin urrejtje ose përhapin dezinformata, shkruan Anadolu.
“Kemi të bëjmë me krime të kryera me fjalë,” tha Matthaus Fink, një nga prokurorët e shtetit që mbikëqyr goditjen, citoi media.
“Njerëzit shpesh habiten kur mësojnë se ato që postojnë në internet mund të jenë të paligjshme. Fjala e lirë ekziston, por ka kufijtë e saj”, theksoi ai.
Gjermania, e cila ka disa nga rregullat më të rrepta të të folurit në botë për shkak të përvojave të saj historike me dhunën e nxitur nga urrejtja, ka parë një rritje të abuzimit në internet vitet e fundit.
Zyrtarët thonë se vrasja e politikanit Walter Lubcke në vitin 2019, pas vitesh ngacmimesh në internet, tregoi se si urrejtja dixhitale mund të çojë në dhunë.
“Urrejtja në internet ndonjëherë mund të gjejë një mënyrë për në jetën reale dhe të lëndojë njerëzit,” tha prokurorja Svenja Meininghaus, duke vënë në dukje se kërcënimet dhe abuzimet shpesh i dekurajojnë qytetarët që të marrin pjesë në diskursin demokratik.
Kuadri ligjor gjerman i lejon autoritetet të ndjekin penalisht jo vetëm individët që krijojnë ose ndajnë përmbajtje të urrejtjes, por edhe ata që angazhohen duke e pëlqyer ose ripostuar atë.
Shkelësit mund të përballen me gjoba të rënda, konfiskim të pajisjeve dhe, në disa raste, me burg.
“Sulm ndaj lirive themelore”
Ndërkohë, qasja agresive ka ngjallur kritika jashtë vendit, veçanërisht në SHBA. Zëvendëspresidenti JD Vance kohët e fundit dënoi bastisjet, duke i quajtur ato “një sulm ndaj lirive themelore”.
“Nuk ka mbetur asnjë liri e vërtetë e fjalës në Evropë,” tha Vance gjatë një fjalimi të fundit në Uashington, DC.
“Kur qeveritë fillojnë të bastisin shtëpitë për postimet e mediave sociale, ato nuk po e mbrojnë demokracinë, por po e çmontojnë atë.”
Mes reagimit të ashpër, Elon Musk, ndihmësi presidencial i SHBA-së dhe pronari i platformës së mediave sociale X, komentoi mbi këtë çështje.
Pas lajmeve për bastisjet, Musk tha në X: “Faleminderit Zotiu që Amerika ka lirinë e fjalës!”
Vërejtjet e tij u shpërndanë gjerësisht, me disa duke i bërë jehonë shqetësimeve për qasjen e Evropës ndaj shprehjes në internet, ndërsa të tjerë kritikuan qëndrimin e tij si shpërfillës të përpjekjeve për të frenuar dhunën e nxitur nga urrejtja.
Zyrtarët gjermanë i hodhën poshtë kritikat, duke thënë se masat janë të nevojshme për të mbrojtur një diskurs publik të hapur, të respektueshëm dhe të bazuar në fakte.
“Kushtetuta ka vija të qarta kufizimi kur fjalimi nxit urrejtje ose përhap gënjeshtra,” tha Josephine Ballon, shefe e grupit të të drejtave me bazë në Berlin, HateAid.
BE-ja ka shtuar kohët e fundit përpjekjet e saj për të rregulluar platformat online, duke miratuar legjislacionin që kërkon që kompanitë e teknologjisë të kufizojnë përhapjen e përmbajtjes së dëmshme.
Gjiganti i mediave sociale X është aktualisht nën hetim për shkelje të mundshme të këtyre rregullave.
Prokurori Fink pranoi sfidat e policimit në sferën dixhitale, por theksoi rëndësinë e detyrës.
“Interneti nuk është një hapësirë pa ligj,” tha ai.
“Ne hetojmë krimet, edhe kur ato ndodhin në internet.”