Indrit Hoxha vendos të mos garojë në primaret e PD-së për deputet


Indrit Hoxha, një nga emrat e përfolur për garën në primaret e Partisë Demokratike për kandidatët për deputet, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këtë garë.

Në një deklaratë në Facebook, Hoxha theksoi se vendimi i tij nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që çon drejt fitores.

Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores,” shkruan Hoxha.

Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë pas “viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar,” duke theksuar se rotacioni politik është një domosdoshmëri për vendin.

“Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin,” u shpreh ai, duke ftuar çdo demokrat të angazhohet për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për Shqipërinë.

Hoxha deklaroi se do të vazhdojë të jetë i përkushtuar përkrah demokratëve dhe mbështetësve të tij në rrugëtimin drejt fitores.

Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë,” përfundoi ai, duke theksuar se mbetet i vendosur për të kontribuar në fuqizimin e Partisë Demokratike dhe për të sjellë një ndryshim të vërtetë në vend.

Deklarata e plotë:

Të nderuar anëtarë, mbështetës dhe demokratë të palëkundur,

Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Pas viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar, është koha për një rotacion politik që do t’u rikthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek institucionet. Ky ndryshim nuk do të vijë vetë – ai kërkon sakrificë, përkushtim dhe angazhim nga çdo demokrat dhe çdo qytetar që e do këtë vend.

Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo sakrificë është një hap drejt një Shqipërie të lirë nga korrupsioni dhe padrejtësitë.

Unë mbetem i përkushtuar, krah jush, në këtë rrugëtim. Ftoj çdo demokrat të ngrihet, të angazhohet dhe të japë kontributin e tij për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.

Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë.

Përpara për fitoren e Partisë Demokratike! Përpara për të ardhmen e Shqipërisë!