Metalurgët e uzinës së Ferrokromit në Burrel protestë: Na ulën pagën padrejtësisht


Dhjetëra metalurg të uzinës së Ferrokromit në Mat kanë zhvilluar sot një protestë ndaj kompanisë turke “Yildirim Holding Group”, e cila prej disa muajsh ka përgjysmuar ditët e punës për punëtorët, shkruan Shqiptarja.

Metalurgët thonë se kompania ka shkelur kontratën dhe se i ka diskriminuar pasi përgjysmimi i rrogës është bërë vetëm për ta.

Sipas metalurgëve kompania i paguan vetëm për 11 ditë në muaj me gjysmë page, ndërsa 11 ditë të tjera duhet të rrinë pushim.

Metalurgët shprehen se nuk pranojnë këto kushte pasi janë në shkelje të kontratës dhe se do përshkallëzojnë protestën deri në rikthimin e rrogës së plotë.

“Ne jemi mbledhur për një urdhër që ka ardhur nga kompania, ku lajmërohet se metalurgët do të kalojën 11 ditë punë dhe 11 ditë 50% dhe jemi këtu për ta kundërshtuar këtë urdhër dhe jo për ta zbatuar. Ne kërkojmë që ky urdhër të anulohet ose do përshkallzojmë protestën tonë. Urdhri është lëshuar nga kompania sepse thotë është rritur çmimi i energjisë dhe ka probleme financiare, ndërkohë nga ky vendim prekemi vetëm në dhe jo administrata. Jemi këtu për bukën e fëmijëve”, tha njëri nga punëtorët grevistë.

Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave duke paralajmëruar për përshkallëzim të protestave.