Rama: Më 11 maj të ndahemi njëherë e mirë nga bufi që ka marrë peng opozitën


Kryeministri Rama u tha shqiptarëve mëngjesin e sotëm se vota e 11 majit është vendimtare për vendin për t’u ndarë njëherë e mirë nga kreu i PD-së Berisha të cilin vijon ta quajë “buf kënete” që ka marrë peng opozitën.

Në bashkëbisedimin e tij të përjavshëm me komentuesit në Facebook, të cilin e ka emërtuar “Sy m’sy” kreu i qeverisë theksoi se negociatat me BE-në do hapen në mars e prill.

“Vota e 11 majit është vendimtare për Shqipërinë e 2030. Brenda mandatit të katërt brenda 2030 të ngremë flamurin kuq e zi në BE, ndërkohë që këtu zien kazani me ujin e kënetës e bufin e kënetës që fryn zjarret e së shkuarës. 11 maji do të jetë fundi i fundit të historisë së kënetës me një buf që ka marrë peng opozitën shqiptare dhe i rri si hije mallkimi që prej 1912 Shqipërisë mbi kokë. BE-ja nuk ia hap derën askujt që nuk është gati për të kapërcyer pragun. Ne kemi hapur disa dyer dhe dy dyer të reja vetëm në fund të janarit e fillim shkurtit. Kemi marrë letrën e do të hapen në mars e prill,” tha Rama.