Tajvani po mendon blerjen e armëve me vlerë miliarda dollarë nga Shtetet e Bashkuara, thanë burimet e informuara për këtë çështje, duke shpresuar të fitojë mbështetjen nga administrata e re Trump ndërsa Kina vijon të ushtrojë presion ushtarak ndaj ishullit.
Tre burime të njohura me gjendjen, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës, i thanë Reuters se Tajvani është në bisedime me Uashingtonin.
Paketa ka për qëllim t’i tregojë Shteteve të Bashkuara se Tajvani është i përkushtuar për mbrojtjen e tij, tha një nga burimet.
Një burim i dytë tha se paketa do përfshijë raketa lundruese dhe raketa HIMARS.
“Do isha shumë i befasuar nëse do ishte më pak se 8 miliardë dollarë. Diku midis 7 deri në 10 miliardë dollarë,” shtoi burimi.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Megjithatë, këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, ka thënë se dëshiron të përshpejtojë dërgimin e armëve në Tajvan.
Ministria e mbrojtjes e Tajvanit nuk pranoi të komentojë mbi blerjet specifike, por tha se është e përqendruar në ndërtimin e mbrojtjes së saj.
“Çdo armatim dhe pajisje që mund të arrijë këto qëllime për ndërtimin e ushtrisë renditen si objektiva për tender,” tha ai.
Kina pretendon se Tajvani është territori i saj dhe kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për të vënë nën kontrollin e saj ishullin. Tajvani kundërshton me forcë pretendimet e Kinës për sovranitet dhe thotë se vetëm njerëzit e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.