Koordinatori për programin ekonomik në PD Dorjan Teliti, në një postim në rrjetin social facebook ka shpjeguar një nga pikat kryesore të programit të PD, që ka të bëjë me lehtësirat që do të aplikohen për biznesin e vogël, me ardhjen e PD në pushtet.
Sipas PD, bizneset e vogla me xhiro ditore deri në 500 euro (180 mijë euro në vit) do të përjashtohen nga TVSH-ja dhe Tatimi mbi fitimin.
Kjo nismë, shkruan Teliti, është mbështetje për bizneset familjare dhe synon të ndihmojë bizneset e vogla që të rriten dhe të forcohen ekonomikisht.
“Duke ulur barrën fiskale, inkurajojmë më shumë biznese të regjistrohen dhe të operojnë në mënyrë të ligjshme. Lehtësimi i barrës krijon hapësira për zgjerim dhe punësim, duke ndihmuar qytetarët dhe ekonominë në tërësi”, shkruan ndër të tjera koordinatori për programin ekonomik në PD Dorjan Teliti.