Arrestohet 33-vjeçari që qëlloi me kallashnikov pasi u konfliktua me vëllain


Policia e Dimalit ka finalizuar operacionin “Telefonata”, duke arrestuar 33-vjeçarin Leonard Tafa, i cili qëlloi me kallashnikov në ajër pas një konflikti me vëllanë. Ngjarja ndodhi në fshatin Goriçan, ku autori, në gjendje të dehur, shkaktoi panik te banorët.

Policia ndërhyri menjëherë, duke e neutralizuar dhe arrestuar Tafën në flagrancë për “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Prishje të qetësisë publike”.

Kërkimet për armën vijojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi:

Dimal

Finalizohet operacioni policor i koduar “Telefonata”, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, për parandalimin e një ngjarje të mundshme kriminale, në familje.

Në mesnatë, qëlloi me kallashnikov në ajër, në afërsi të banesës së tij, pasi u konfliktua me vëllanë, vihet në pranga 33-vjeçari.

Menjëherë pas njoftimit nga disa shtetas, se familjari i tyre po qëllonte me armë zjarri në ajër, në afërsi të banesës, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në fshatin Goriçan.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme dhe i veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Telefonata”, u neutralizua autori, shtetasi Leonard Tafa, 33 vjeç, i cili dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ishte konfliktuar me vëllanë e tij, dhe më pas kishte qëlluar me kallashnikov në ajër, në afërsi të banesës. Vijojnë kërkimet për gjetjen e armës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 33-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shprëthyese dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.