Zhupa: Ndalni “vjedhjet strategjike” mbi pronat e banorëve të Manastirit


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar në mbështetje të banorëve të Ksamilit, që po protestojnë për mbrojtjen e banesave të tyre në Manastir, te plazhi i “Pasqyrave”.

Banorët janë kërcënuar që të ikin vetë, pasi aty do jepet për një investim strategjik.

“Vjedhje dhe skandal të marrësh pronat e qytetarëve. T’i rrafshosh me qëllimin për ta marrë një investitor strategjik. Pikat e vogla të Mirela Kumbaros po i marrin shpirtin qytetarëve të zonave bregdetare kryesisht, ku lakmia është më e madhe”, shprehet Zhupa ndër të tjera në profilin e saj në rrjetin social Facebook.

Zhupa e ka denoncuar masakrën në jug me këtë ligj dhe ka zhvilluar interpelanca me ministren Mirela Kumbaro.

 

Reagimi i plotë i Ina Zhupës në Facebook:

“Ndalni grabitjen e pronave të banorëve të Manastirit, për vjedhjet strategjike.

Hajdutëria dhe babëzia mbi pronat e lakmuara të vendit vazhdon në emër të investimeve strategjike. Edhe në muajt e fundit para përzënies me votë, kjo qeveri nuk i ndal vjedhjet strategjike.

Banorëve të Manastirit mbi plazhin Pasqyra do ju prishen shtëpitë e tyre në interes të ndërtimit të një investimi strategjik. Banorët e zonës kanë protestuar sot në Sarandë, po asnjë institucion nuk reagon. Ata kërcënohen për të ikur nga shtëpitë e tyre.

Vjedhje dhe skandal të marrësh pronat e qytetarëve ti rrafshosh me qëllimin për ta marr një investitor strategjik. Pikat e vogla të Mirela Kumbaros po i marrin shpirtin qytetarëve të zonave bregdetare kryesisht, ku lakmia është më e madhe.

I kam denoncuar që në fillim gjithë masakrat që bëhet me këtë ligj për “vjedhjet strategjike” dhe i garantoj banorët se ne do qëndrojmë në krahun e tyre”.