Vendosni fjalën kyçe....

Le Pen dëshiron ta bëjë Francën përsëri të madhe…po ndryshe nga Trump


Në një mëngjes të ftohtë dhjetori, një ligjvënës i partisë së ekstremit të djathtë Rally National u takua me një mbështetës të shquar të Trump në një kafene në qendër të Parisit.

Sebastien Chenu kishte kërkuar takimin pasi dy burrat u grindën miqësisht në TV një muaj më parë. Në një diskutim gjatë natës së zgjedhjeve mbi atë që kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të nënkuptojë për Evropën, Chenu hodhi poshtë krahasimet midis partisë së tij dhe asaj të Trump, duke e përshkruar stilin e presidentit të ardhshëm si ndonjëherë “të padurueshëm”.

“Unë nuk jam tifoz i Trump, por doja të kuptoja dinamikën,” tha Chenu kur u pyet se pse e kërkoi takimin.

“Isha kureshtar të dija se çfarë i bën njerëzit t’i drejtohen Trump-it.”

Shqetësimi i Chenu-së ndahet nga ata që janë në krye të Rally National, një parti që  prej dhjetëvjeçarësh udhëhiqet nga Le Pen-ët, babai i saj i ndjerë Jean Le Pen dhe Marine Le Pen, një nga figurat më të spikatura nacionaliste në Evropë dhe udhëheqëse e opozitës ndaj presidentit Emmanuel Macron.

Ndërsa krerët evropianë të ekstremit të djathtë shkuan në X për të lavdëruar Trump-in pasi ai fitoi zgjedhjet nëntorin e kaluar, Le Pen ishte veçanërisht e vakët. Në mesazhin e saj të urimit, kryetarja e Rally National vlerësoi demokracinë e SHBA-së në vend që të përqendrohej te presidenti i saj i ri. Në një takim të fundit të partive evropiane të ekstremit të djathtë në Madrid, ajo përsëri u largua, duke e paraqitur zgjedhjen e tij si një “sfidë” dhe duke këmbëngulur se ne “nuk do pajtohemi gjithmonë” me të.

Deri tani, ka pasur pak kontakt midis dy kampeve. Këtë javë, Jordan Bardella, i përkëdheluri i Le Pen dhe menaxheri i partisë së saj, do udhëtojë në Uashington DC për të mbajtur një fjalim në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), mbledhja kryesore për republikanët dhe aktivistët e krahut të djathtë. I pyetur nëse ishte planifikuar një takim me një përfaqësues apo aleat të Trump-it, zyra e shtypit e Bardella tha se ai do takohet me ligjvënës republikanë nga Dhoma dhe Senati.

Në pamje të parë, Le Pen dhe Trump duket se kanë shumë të përbashkëta. Të dy kanë shfrytëzuar pasigurinë ekonomike dhe jo vetëm në qëndimet e tyre. Të dy kanë normalizuar ato që dikur konsideroheshin pikëpamje ekstreme kundër emigrantëve. Por pas vitesh përpjekjesh për ta sjellë partinë e saj në rrjedhën kryesore, Le Pen është e kujdesshme për ta përafruar Tubimin Kombëtar shumë afër me presidentin amerikan, i cili është zotuar të vendosë tarifa të dhimbshme ndaj Evropës.

“Le Pen po ndjek një rrugë normalizimi, kështu që ajo nuk dëshiron të lidhet me dikë kaq të paparashikueshëm dhe të tepruar,” tha Jean-Yves Camus, një analist politik i specializuar në lëvizjet nacionaliste.

Ndërsa qasja e Trump ndaj politikës ka kontribuar në suksesin e tij, Le Pen ka fituar popullaritet duke zbutur imazhin e lëvizjes së themeluar nga babai i saj i ndjerë, i cili ishte i njohur për komentet e tij antisemite, minimizuese të Holokaustit.

Ajo ka kandiduar për presidente tre herë, doli në balotazh dy herë dheRally National ka bërë përparime në çdo zgjedhje kombëtare që kur Macron mori detyrën në vitin 2017. Tani mban shumicën e vendeve nga çdo parti e vetme në Asamblenë Kombëtare dhe Le Pen kryeson në sondazhe me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dy vjet larg.

Ndryshe nga Trump – apo kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, aleatët ideologjikë të Le Pen-it nuk janë zgjedhur kurrë në qeveri.

Për më tepër, lidhja e fatit të saj me presidentin ka të ngjarë të mos e ndihmojë Le Pen të fitojë votuesit francezë. Një sondazh i fundit i Ispos për La Tribune Dimanche zbuloi se 67% e njerëzve në Francë kanë një përfytyrim negativ për Trump, ndërsa 40% e votuesve të RN e shohin atë në mënyrë të favorshme.

Nëse Trump zbaton kërcënimin e tij për të vendosur tarifa globale, kjo mund ta kthejë opinionin publik edhe më tej kundër tij.

“Si mund të presësh që Le Pen të shkojë dhe të takojë punëtorët e fabrikave të konjakut apo të punishteve të verës në Bordo, punët e të cilëve do zhduken sepse Trump sapo ka vendosur tarifa 25%?.” – tha Camus.

Një faktor tjetër ndërlikues është se francezët prej kohësh kanë një pikëpamje të zbehtë për SHBA-në. Camus vërejti se Rally National e sheh SHBA-në përmes stereotipeve që rezonojnë shumë negativisht me votuesit e Le Pen: një komb shpëthyes, një vend i elitave financiare dhe të biznesit, një fuqi hegjemoniste.

“Trump ka karakterin e tij. Ai është shumë amerikan; Unë jam shumë francez. Pra, sipas definicionit, ne nuk do t’i bëjmë gjërat në të njëjtën mënyrë”, tha Le Pen për rrjetin televiziv LCI muajin e kaluar kur u pyet nëse ajo e admiron kreun e ri të SHBA-së.

Në diskutimet private, zyrtarët e Rally National shprehin pak dashuri për presidentin apo ndonjë politikan amerikan, për këtë çështje. Një aleat i Le Pen vuri në dukje kërcënimet e Trump për të përvetësuar Groenlandën si dëshmi se amerikanët nuk janë më të besueshëm se udhëheqësi rus Vladimir Putin.

Një ligjvënës i Rally National lavdëroi kreun ikonë të Luftës së Dytë Botërore, Charles de Gaulle dhe madje edhe ish-presidentin socialist Francois Mitterrand, për alarmet mbi fuqinë amerikane. Një tjetër ligjvënës i Rally National e përshkroi Trumpin si tepër radikal.

“Ne nuk kemi të njëjtat interesa dhe nuk flasim të njëjtën gjuhë,” tha në një intervistë Louis Aliot, nënkryetari i Rally National.

Në të njëjtën kohë, realitetet politike po i detyrojnë Le Pen dhe Bardella të bëjnë ujdi me administratën e re. Megjithëse asnjë anëtar i Rally National nuk u ftua në betimin e Trump, përfaqësuesit e Le Pen udhëtuan në Uashington atë ditë si pjesë e një delegacioni të partive evropiane të ekstremit të djathtë. Në atë udhëtim, ata morën pjesë në një takim të rëndësishëm të Trump dhe u takuan me ligjvënës dhe anëtarë të institutit konservator “Heritage Foundation”.

Me vizitën e tij këtë javë, Bardella po merr një qasje më praktike ndaj SHBA-së. 29-vjeçari mund të jetë një partner më i natyrshëm për administratën sesa Le Pen. Ai ka mbrojtur publikisht pronarin e X, Elon Musk – tani një aleat kryesor i Trump – dhe gjithashtu ka shprehur pikëpamjet mbi emigracionin që janë më radikale se Le Pen. Bardella ka qenë gjithashtu kyç në ndihmën e Le Penit për të arritur tek votuesit më të rinj, veçanërisht në zonat rurale dhe periferitë.

Qartësia për të ardhmen e Rally National dhe marrëdhëniet e saj të ardhshme me SHBA-në mund të vijë së shpejti. Le Pen aktualisht është në gjyq për përvetësim, me një vendim që pritet në fund të marsit. Nëse i ndalohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 2027, Bardella pritet të marrë vendin e saj.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani