Lëvizja Bashkë në terren për mbledhjen e 5 mijë firmave për t’u regjistruar në zgjedhje


Lëvizja Bashkë prej disa javësh është në terren për të mbledhur 5 mijë firma për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit.

Lëvizja bën thirrje për qytetarët që të ndihmojnë atë me nënshkrime në mënyrë që të regjistrohet në zgjedhje.

Lëvizja BASHKË është në ditët e fundit të mbledhjes së 5000 nënshkrimeve për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit dhe çdo firmë është një hap më afër përfaqësimit të një alternative të ndershme dhe të pakompromis. Prej disa javësh, aktivistët kanë qenë në terren, duke takuar qytetarë në shumë qytete, ku janë pritur me entuziazëm nga njerëzit që kërkojnë një politikë ndryshe. Pavarësisht pengesave dhe censurës mediatike, ne kemi parë nga afër që mijëra njerëz besojnë në një Shqipëri pa korrupsion, pa oligarkë dhe pa mashtrime të vjetra politike.

Tani, na ndajnë vetëm pak ditë nga përfundimi i këtij procesi dhe çdo ndihmë është e domosdoshme. Nëse ende nuk ke firmosur, merr pak minuta për ta bërë – nëse ke firmosur, fto një mik, një familjar ose një koleg! Kjo nuk është thjesht një betejë për të qenë në fletën e votimit, por një përpjekje për të ndërtuar një zë të ri në politikën e vjetëruar, një zë që nuk shitet dhe nuk trembet.

Ndihmo që Lëvizja BASHKË të jetë në zgjedhjet e 11 majit – bashkë do t’ia dalim!”-shkruan Lëvizja Bashkë.