Miliarderi australian themelon partinë “alla Trump”


Miliarderi australian Clive Palmer themeloi të mërkurën një parti politike për të cilën tha se ishte frymëzuar drejtpërdrejt nga presidenti amerikan Trump, disa muaj pas zgjedhjeve federale mbarëkombëtare, shkruan Reuters.

Manjati i minierave Palmer tha se partia e tij “Trumpet of Patriots” do “bonifikonte kënetën” në kryeqytetin e vendit Canberra, një referencë ndaj planeve të Trump për të shkurtuar në mënyrë drastike madhësinë e qeverisë.

“Ne mendojmë se Donald Trump ka qenë shumë efektiv në uljen e shpenzimeve publike,” tha Palmer në një konferencë shtypi duke njoftuar themelimin.

Palmer është kritik ndaj emigracionit të pakontrolluar dhe tha se partia do njihte vetëm dy gjini, duke pasqyruar pozicione të favorizuara edhe nga Trump.

“Trumpet of Patriots” planifikon të kandidojë për të gjitha 150 vendet në dhomën e ulët të parlamentit Australisë, si dhe në dhomën e Sipërme, të njohur si Senati, tha Palmer.

Palmer, personi i 18-të më i pasur i Australisë me një vlerë neto prej 2.1 miliardë dollarësh sipas Forbes, më parë drejtoi Partinë e Bashkuar Australiane (UAP), parti e djathtë që ka vende në  dhomën e ulët të parlamentit që nga viti 2013.

Palmer shpenzoi rreth 100 milionë dollarë australianë (63.52 milionë dollarë) për fushatën për UAP-në në zgjedhjet e fundit federale, duke nxjerrë një senator të vetëm në dhomën e sipërme.

Ai nuk arriti të regjistrojë UAP në kohë për zgjedhjet e këtij viti, që duhet të mbahen deri në maj.