Operacion antidrogë në Itali, Spanjë e Shqipëri, arrestohen në Vlorë tre persona


27 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtare antidrogë në Itali, Spanjë  e Shqipëri. Tre nga të arrestuarit jaanë kapur në Vlorë.

“Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit Anxhelo Ajazaj, 27 vjeç, Klarens Dalipaj alias Klarens Dhrami, 30 vjeç dhe Xhino Hamitaj, 30 vjeç. Ata dhe shtetasi Eurel Liçaj që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.” – thuhet në njoftimin e policisë.

Droga ruhej në një qendër të pritjes së emigrantëve në periferi të Romës ndëra sipas autoriteteve italiane objekti ishte gjithashtu një vend rekrutimi për emigrantët nigerianë.

Sasitë e mëdha të kanabisit merreshin nga Vlora dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën përmes një aleance mes grupeve kriminale shqiptare dhe nigeriane.

Njoftimi

“Finalizohet në Shqipëri dhe në Itali, operacioni ndërkombëtar i koduar “Alba Tibus”,  për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit.

Akuzohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Itali, për trafikim të Cannabisit, lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë.

Hetimet e përbashkëta identifikojnë dhe një tjetër pjesëtar të grupit, i cili aktualisht po vuan dënim në IEVP Rrogozhinë.

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Policia e Shtetit është e  angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.”