Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas mbledhjes së Komisionit, duke denoncuar mungesën e seriozitetit të qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të integrimit europian.
Ajo theksoi se procesi i përafrimit me legjislacionin e BE-së po trajtohet si një çështje e brendshme e qeverisë, pa transparencë dhe pa përfshirjen e qytetarëve, bizneseve dhe konsumatorëve.
“Ne kërkuam një diskutim të hapur dhe gjithëpërfshirës për Grupkapitullin 2, që lidhet me tregun e brendshëm, por kjo nuk u bë e mundur. Qeveria po e trajton procesin si një çështje të mbyllur, pa një debat kombëtar dhe pa analizuar ndikimin që ky përafrim ka për ekonominë dhe qytetarët,” u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD theksoi se qeveria po përdor një strategji të shtyrjes së detyrimeve për në vitin 2027, duke krijuar pasiguri në treg dhe tek bizneset. Sipas saj, shumë sektorë kyç të tregut të brendshëm ende nuk janë përafruar me standardet e BE-së, ndërsa qeveria vazhdon të miratojë ligje që bien në kundërshtim me rregullat e unionit.
“Janë 300 akte ligjore që duhen përafruar, 38 sektorë, 500 aktivitete shërbimi që përbëjnë mbi 100 ligje në total. Dhe qeveria na thotë që do t’i miratojë të gjitha deri në 2027! Ndërkohë, miratohen ligje që bien ndesh me direktivat e BE-së, si rasti i përjashtimeve në prokurimet publike apo TVSH-ja e hoteleve,” shtoi Tabaku.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e analizës së ndikimit financiar që përafrimi me BE do të ketë mbi buxhetin dhe sektorin privat. “Nuk ka asnjë analizë për impaktin që ky proces do të ketë mbi buxhetin, cilat tarifa do të rriten apo ulen, dhe çfarë ndryshimesh do të pësojë sektori privat. Qeveria nuk ka bërë asnjë vlerësim serioz.”
Në përfundim, Tabaku theksoi se opozita do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve dhe bizneseve në këtë proces dhe do të hartojë një raport të detajuar mbi shqetësimet dhe propozimet konkrete të PD-së. “Qeveria ka pasur 10 vite për të përmbushur këto detyrime dhe nuk i ka realizuar. Nuk ka për t’i realizuar as për dy vite. Për këtë arsye, është e domosdoshme që të kemi një debat të hapur dhe një strategji të qartë për integrimin e Shqipërisë në BE,” përfundoi Tabaku.
Deklarata për shtyp
Përfaqësuesit e PD kërkuan që të kishte një takim dhe diskutim të hapur për qytetarët, për bizneset dhe konsumatorët për të kuptuar se ku ndodhemi me përafrimin e Grupkapitullit të 2 që lidhet me tregun por kjo nuk u bë e mundur.
Unë kam ngritur shqetësime të vazhdueshme përsa i përket mbajtjes së këtij informacioni si të privilegjuar të qeverisë dhe që nuk ka një diskutim mbarëkombëtar për procesin e integrimit.
Besoj që të gjithë e kuptojnë që ky është thjeshtë një proces teknik që ka nisur dhe do të vazhdojë.
PD ka pasur një qëndrim: Marrja e vendimit për hapjen e negociatave dhe pozicionet negociuese por dhe diskutimet që po kryhen për të gjithë grupkapitujt vijnë si rezultat i vendimit gjeopolitik që është marrë për hapjen e negociatave; PD e ka nisur këtë proces dhe e mbështet dhe do të jetë kjo forcë politike që do ta përfundoj në qeverisje, por e rëndësishme është që në këtë momeent të kuptojmë, unë do jua tregoj me fakte, që nuk ka ndonjë kriter të avancuar, nuk ka ndonjë avancim real as në çështje të tregut të brendshëm që po diskutojmë sot, por është një proces teknik i cili po vijon si rezultat i vendimit gjeostrategjik që është marrë pas agresionit rus në Ukrainë.
Mendime të përgjitshme përsa i përket Grupkapitullit të 2 që lidhet me tregun e brendshëm, që është më i vështiri por që është një grupkapitull që nuk i janë realizuar një pjesë të madhe e detyrimeve.
Së pari, në pjesën më të madhe të të gjithë iniciativave që qeveria shqiptare ka shprehur fundi i realizimit të tyre është viti 2027.
Ndërkohë që kjo tregon dhe një mungesë serioziteti, ka një boshllëk shumë të madh përsa i përket përafrimit të legjislacionit për tregun; kjo ka krijuar pasiguri tek biznesi.
Një shembull është ai i tregut të brendshëm të shërbimeve: janë 300 akte ligjore, 38 sektorë, 500 aktivitete shërbimi që janë 100 ligje në vetvete dhe qeveria thot që do t’i bëjmë të gjitha në vitin 2027.
Ndërkohë që kjo ndodh, vazhdojnë dhe miratojnë akte ligjore që bien në kundërshtim me këtë.
Të gjithë jemi koshient që për ligjin e Prokurimeve Publike ka përjashtime p.sh. për sektorët strategjik por është në kundërshtim me direktivat e BE; ka përjashtime përsa i përket TVSh-së së hoteleve të cilën ne e kemi ngritur në vijimësi si shqetësim.
Kjo tregon një mospërputhje të qartë të vizionit që ka qeveria me një mungesë vullneti politik me faktin që çdo ditë miraton vendime që nuk janë në përputhje me detyrimet që është duke marrë në procesin e integrimit.
Elementi i dytë që PD ngriti lidhet me implikimet që ka për buxhetin. Nuk ka sot një analizë sesa i kushton buxhetit, se cilat tarifa do të rriten apo cilat do të ulen, cilat janë standartet e BE-së. Ngrita pyetjet:
- A ka një analizë të impaktit të buxhetit?
- A ka një analizë të impaktit në sektorin privat? Asnjë gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Kjo për t’ju treguar me dy elementë kryesor faktin që ky është një proces i cili nga ana e qeverisë në pjesën më të madhe të detyrimeve janë shtyrë të gjitha në vitin 2027 për t’u realizuar dhe nga ana tjetër në pjesën më të madhe të sektorëve të cilët ne i kemi identifikuar dhe kemi bërë propozime konkrete duke nisur me tregun e brendshëm, masat që duhet të marri çdo qeveri për t’u përaftuar me BE, rregullimi i tepërt, heqja e lejeve dhe licensave, gatishmëria e biznesit dhe duke përfunduar me pastrimin e parave që janë 5 fushat kryesore që ne diskutuam sot, qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar detyrimet.
Kur nuk i plotësoi për 10 vite, nuk ka për t’i plotësuar për 2 vite. Përveç kësaj, nuk ka nisur një debat apo diskutim kombëtar për çështje të cilat lidhen me biznesin.
Shqetësimet që unë ngrita do të jenë të gjitha si pjesë e raportit të opozitës, shqetësime të cilat lidhen njëkohësisht dhe me zgjidhje të cilat ne i kemi dhënë në programin e PD dhe që janë shqetësime që me të vërtetë kërkon tregu.
Sot, raporti që u paraqit në Komision dhe diskutimet që u zhvilluan, tregojnë nga ana e qeverisë një mungesë serioziteti në përmbushje të detyrimeve të cilat duhet të ishin kryer tashmë në këto 10 vite të gjata pritje, por për të gjitha thuhet që përfundojnë në vitin 2027.