Të ardhurat nga shitjet e biznesit rritje 0,7% në 2023, niveli më i ulët që nga 2020


Të dhënat finale për treguesit ekonomike të ndërmarrjeve në vitin 2023 tregojnë për një ristrukturim të ekonomisë nga prodhimit drejt shërbimeve.

Ndonëse ekonomia e vendit u rrit me 3.94 për qind gjatë vitit 2023, punësimi në sektorin e biznesit është rritur 2,2 për qind ndërsa të ardhurat nga shitjet vetëm 0.7 për qind, niveli më u ulët që nga viti 2020, kur bizneset u mbyllën nga pandemia.

Kursi i këmbimit, me nënçmimin e euros ndaj lekut ka ulur ndjeshëm të ardhurat nga shitjet për prodhuesit.

Sipas INSTAT në vitin 2023, rezultuan 117.292 ndërmarrje ekonomike aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shënuar një rritje me 3,4%, krahasuar me vitin 2022.

Ndërmarrjet në prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 0,3 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 0,4 pikë përqindje në numrin e të punësuarve dhe -2,6 pikë përqindje në shitjet neto.

Ndërmarrjet në prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 3,1 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 1,8 pikë përqindje në numrin e të punësuarve dhe 3,2 pikë përqindje në shitjet neto.

Sektori i Shërbimeve dhe sektori i Ndërtimit kanë kontribuar përkatësisht me 1.6 pikë përqindje dhe 0,7 pikë përqindje në rritjen prej 0,7% të shitjeve neto gjithsej

Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 35,7%. Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2023 ka qenë 559.922, duke u rritur me 2,2%, krahasuar me vitin 2022.

Prodhuesit e shërbimeve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion dhe shërbime të tjera zënë 65,2% të numrit të të punësuarve gjithsej.

Prodhuesit e të mirave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorët industri nxjerrëse, industri përpunuese, energji, ujë, trajtimi i mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit, zënë 34,8%.

Shitjet neto në vitin 2023 arritën vlerën 3.381 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0,7% ndaj vitit 2022. Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara duke përbërë 67,5% të shitjeve neto gjithsej.

Shitjet neto për të punësuar për vitin 2023 kanë qenë 6.039 mijë lekë nga 6.131 mijë lekë për të punësuar rezultuar në vitin 2022. Ky tregues është më i lartë tek prodhuesit shërbimeve (6.253 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e të mirave (5.640 mijë lekë për të punësuar).

Ndërmarrjet e prodhimit të të mirave ku përfshihen sektorët e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve si edhe ndërtimi, përbëjnë rreth 32,5% të shitjeve neto të realizuara.

Sektori me ndikimin më të madh në prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive (6,1%). shitjet neto (11,5%) dhe numrin e të punësuarve (18,5%) ka qenë sektori i industrisë përpunuese.

Në prodhuesit e shërbimeve operojnë 87,2% e ndërmarrjeve aktive të cilat realizuan 67,5% të shitjeve neto. Në këtë grup ndërmarrjesh rolin kryesor e luan tregtia (ku përfshihen tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve).

Në tregti operojnë 35,7% e ndërmarrjeve të cilat realizojnë 45,5% të shitjeve neto gjithsej. Sektori i tregtisë kontribuoi me 0,7 pikë përqindje në rritjen vjetore prej 0,7% të shitjeve neto. Të punësuarit në tregti zënë 24,5% të numrit të të punësuarve gjithsej.

Gjatë vitit 2023 ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë zënë 40,6% të numrit gjithsej të të punësuarve të cilët realizuan 46,9% të shitjeve neto edhe pse përbëjnë vetëm 1,2% të ndërmarrjeve aktive. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar zënë 28,0% të të punësuarve gjithsej të cilët kanë realizuar 15,4% të shitjeve neto dhe përbëjnë 86,1% të ndërmarrjeve aktive.

Nga rezultatet vërehet se ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar kanë kontribuar negativisht me – 0,3 pikë përqindje në ndryshimin vjetor të shitjeve neto gjithsej. Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontribuar me 1,6 pikë përqindje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor