Basha: 20 shkurti, një nga gurët kilometrikë më të rëndësishëm të rrugëtimit tonë për demokraci


Lulzim Basha ka kujtuar 20 Shkurtin si një nga momentet më kyçe në historinë e Shqipërisë drejt demokracisë. Në një postim në Facebook, ai e cilëson kryengritjen popullore të asaj dite si një akt fisnikërie që rrëzoi simbolin e fundit komunist në Europë.

Basha thekson rëndësinë e reflektimit mbi gabimet e së shkuarës, duke nënvizuar se mungesa e drejtësisë për krimet e komunizmit dhe rehabilitimi i persekutorëve mbeten plagë të hapura për demokracinë shqiptare. Ai shton se është e domosdoshme të mësohet nga gabimet e së kaluarës për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.

Postimi i plotë i Bashës:

20 Shkurti është një nga gurët kilometrikë më të rëndësishëm të rrugëtimit tonë për demokraci. 

Një kryengritje që fisnikëron popullin që ka paguar për shkak të regjimit gjakatar çmimin më të lartë për liri në Europë.

Sot kujtojmë me respekt të gjithë ata që u ngritën, u bashkuan dhe shembën simbolin e fundit komunist në Europë duke rrëzuar shtatoren e diktatorit. 

Nderimi i guximit qytetar sjell dhe një reflektim të domosdoshëm për të mësuar nga gabimet e orëve të para të lirisë, që e kanë përndjekur demokracinë tonë përgjatë gjithë tranzicionit.

Me drejtësi të pakryer ndaj krimeve të komunizmit, persekutorë të rehabilituar dhe të persekutuar të harruar, janë thirrje për ndërgjegjen e secilit prej nesh për të pranuar se kurrë nuk është vonë për drejtësi, transparencë dhe ndarje nga e kaluara, për të jetësuar thirrjen që jehon prej më shumë se tre dekada, të Shqipërisë si gjithë Europa.