Ekstradohet nga Gjermania Vladimir Kola, akuzohet për vrasjen e Briken Sanajt te Kodra e Diellit



Vladimir Kola, 42 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Briken Sanajt në vitin 2022 te “Kodra e Diellit” në Tiranë, është ekstraduar nga Gjermania. Ai ishte arrestuar në prill 2024 gjatë operacionit “Versus”.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”.

Njoftimi:

“I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, ekstradohet nga Gjermania, 42-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

42-vjeçari u arrestua në Gjermani, në muajin prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.

Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, shtetasi:

Vladimir Kola, 42 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23.11.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale  “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ky shtetas dyshohet se më datë 30.10.2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S”, njofton policia.