“Në mandatin e katërt rindërtojmë skemën e pensioneve”- Rama


Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi virtual me qytetarët, pranoi se pensionet në Shqipëri janë të ulëta dhe premtoi përmirësime të ndjeshme në të ardhmen. 

Sipas tij, gjatë mandatit të katërt synohet stabilizimi i të ardhurave ekonomike dhe një reformë e skemës së pensioneve, duke garantuar një përfshirje më të madhe të pensionistëve në zhvillimin ekonomik të vendit.

Rama shprehu besimin se deri në vitin 2030, Shqipëria do të ofrojë kushte më të mira për pensionistët, duke i integruar ata më shumë në rishpërndarjen e të ardhurave.

“Jam dakord që pensionet janë të ulëta. Do bëjmë më shumë për pensionet. Bonuset do jenë pjesë e rrugëtimit tonë. Koncepti i pjesëmarrjes së pensionistëve, rritja e të ardhurave ekonomike do të stabilizohet gjatë mandatit të katërt. Unë jam besimplotë se me bonuset dhe me një rindërtim të skemës në funksion të rritjes tërësore të pensioneve, Shqipëria 2030 do jetë një vend ku pensionistët do ndihen shumë më të përfshirë në tryezën e përbashkët të Shqipërisë në rishpërndarjen e të ardhurave”, tha ai.