Përfundon numërimi i votave në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 40.80%


Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt në Kosovë. Komisioni Qendror Zgjedhor ka përditësuar rezultatet përfundimtare, duke konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë me 342,281 vota, ose 40.80% të votave.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 184,811 vota, ose 22.03%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 147,888 vota, që përbën 17.63% të totalit.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma dhe partitë e tjera kanë arritur të grumbullojnë 62,588 vota, ose 7.46%.

Rezultatet përfundimtare tregojnë një rritje të vogël të votave për të gjitha partitë krahasuar me përditësimin paraprak të 12 shkurtit. Pas përfundimit të numërimit, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë procedurat për certifikimin e rezultatit dhe formimin e institucioneve të reja në vend.