Rama: Tuneli i Murrizit hapet në fund të marsit


Kryeministri Edi Rama deklaroi në rubrikën “Sy më sy” se Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit do të hapet në fund të muajit mars.

Ai theksoi se ndërlikimet gjeologjike e kanë vonuar përfundimin e punimeve, por tashmë tuneli po riarmatoset me një teknologji të re.

“Tuneli i Murrizit tek Rruga e Arbrit do të hapet në fund të muajit mars. Te Rruga e Arbrit nuk kemi lënë gjë mangët, por të papritura si gjeologjia e tunelit të Murrizit. Jemi në kushtet po shkojmë drejt përfundimit pas një riarmatimi me një teknologji tjetër të të gjithë tunelit.

Besoj shumë se më në fund në mars do ta heqim këtë sy të keq nga shpina, sepse realisht ai tunel na ka marrë shpirtin. Por, bashkë me pranverën do të dalë edhe shpirti i keq nga tuneli dhe dibranët mund të venë e vijnë me rrugën e hapur”, tha kreu i qeverisë, Edi Rama.