SPAK i përgjigjet Ramës, publikon strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor


Prokuroria e Posaçme i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, që deklaroi që të mos survejoheshin partitë politike në zgjedhje, me publikimin e “Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”.

Njoftimi u bë sot pasdite nga institucioni i akuzës, që theksoi edhe pikat kryesore të kësaj strategjie, për të cilën ka zhvilluar takim edhe në KQZ me kreun e saj, Ilirjan Celibashi, për bashkëpunim në hetime dhe goditje të fenomenit.

Mes tyre bien në sy verifikimi i çdo indicieje apo fakti për kryerjen e krimeve zgjedhore, verifikimi i raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme për keqpërdorim të buxhetit dhe investimeve publike, monitorim i mediave dhe rrjeteve sociale.

Gjithashtu bashkëpunimi ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëritë civile që monitorojnë proceset zgjedhore.

 

Piketat e strategjisë së SPAK:

-Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

-Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.

-Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.

-Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.