Xi rrezikon të bëhet “armiku numër 1” për SHBA-të nëse Trump arrin marrëveshjen me Putinin


Për presidentin Xi Jinping, fundi i luftës së Rusisë në Ukrainë sjell shumë mundësi dhe një kërcënim të madh: Kina do bëhej papritmas fokusi kryesor i ushtrisë amerikane.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë filluar bisedimet në Arabinë Saudite për të negociuar përfundimin e luftës trevjeçare, duke shkaktuar shqetësim të thellë në Evropë dhe Ukrainë nëse Donald Trump do t’i japë në mënyrë efektive një fitore Vladimir Putinit. Kina i ka mirëpritur publikisht bisedimet dhe po pozicionohet për të përfituar nga përpjekjet e rindërtimit – si dhe nga thellimi i përçarjes midis SHBA-së dhe aleatëve të saj mbi NATO-n, demokracinë dhe rendit ndërkombëtar.

Një problem kryesor për Pekinin është ajo që Trump planifikon të bëjë më pas. Komentet nga persona pranë presidentit amerikan, duke përfshirë shefin e Pentagonit, Pete Hegseth dhe djalin e tij të madh, Donald Trump Jr., tregojnë se SHBA-ja dëshiron të përqendrojë pjesën më të madhe të aseteve të saj ushtarake në kundërshtimin e Kinës.

“Pekini është tani mes shumë vështirësish,” tha John Gong, profesor në Universitetin e Biznesit Ndërkombëtar dhe Ekonomisë në Pekin, i cili ka punuar si këshilltar për Ministrinë e Tregtisë së Kinës. “Ai dëshiron që lufta të ndalet, ose të paktën të pezullohet,” shtoi ai.

“Por nuk është aq shumë e interesuar të bëhet çështja prioritare nr. 1 për Uashingtonin”.

Kina, deri më tani, ka shmangur çdo veprim që mund të provokojë Trump-in, duke iu përgjigjur tarifës së tij prej 10% me lëvizje modeste dhe duke u përmbajtur nga diplomacia agresive e “skifterëve të luftës” që u shfaq në mandatin e tij të parë.

Në vend të kësaj, Xi është përqendruar te ekonomia, e cila po lufton me një problematikë në sektorin e pronës dhe ndërtimit prej vitesh, deflacion dhe konsum të ngadaltë. Udhëheqësi kinez u takua këtë javë me ish-kreun e Alibaba Jack Ma për të mbyllur një kapitull mbi goditjet rregullatore dhe për të rritur shpirtin e ekonomisë ndërsa Pekini përgatitet të zbulojë objektivin e tij vjetor të rritjes muajin e ardhshëm.

Vetë Trump ka dhënë një ton më pak luftarak ndaj Kinës, duke u thënë gazetarëve të mërkurën se një marrëveshje tregtare ishte “e mundur” dhe duke trumbetuar përsëri “marrëdhëniet e tij shumë të mira” me Xi. Por administrata e tij është e mbushur me “skifterë” që kërkojnë të shqyejnë Kinën, duke përfshirë Sekretarin e Tregtisë Jamieson Greer dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili është zotuar të trajtojë “veprimet destabilizuese” të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

Kina do ishte e ndjeshme ndaj çdo vëmendjeje të shtuar mbi veprimet e saj në Indo-Paqësor, ku ka mosmarrëveshje territoriale me Filipinet, si dhe me Tajvanin e vetëqeverisur. Pekini akuzoi më parë SHBA-në se po kërkonte të ndërtonte një lloj të NATO-s në Paqësor, pasi administrata e Biden forcoi aleancat e sigurisë me Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Duke shfaqur ambicien e saj për të projektuar fuqinë ushtarake në të gjithë Azinë-Paqësorin, marina kineze këtë javë ka tre anije luftarake që lundrojnë në ujërat ndërkombëtare në brigjet e Sidneit në një udhëtim që ministri australian i Mbrojtjes e quajti “të pazakontë”.

Duke treguar se ekipi i Trump mund të marrë tashmë një qëndrim më të fortë në Azi, Departamenti i Shtetit i SHBA-së këtë muaj fshiu një frazë nga një dokument që thoshte se SHBA-ja “nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit” – një linjë që Pekini shpesh u kërkon vendeve më të cilat ka lidhje diplomatike, ta mbështesin. Ishte e paqartë nëse ndryshimi ishte i qëllimshëm, dhe SHBA-ja pohoi se miratoi “politikën e saj të një Kine”.

Tajvani po vëzhgon me vëmendje zhvillimet e fundit, pasi Trump paralajmëron Volodymyr Zelenskyn se nëse Ukraina nuk arrin një marrëveshje shpejt me Rusinë, atëherë “ai nuk do e ketë me vendin e tij “.

Një diplomat nga ishulli vetëqeverisës, të cilin Kina e pretendon si të vetin, tha se megjithëse marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA-së do përmirësohen, gjëja më e rëndësishme për Tajvanin është t’i dëshmojë Trumpit vlerën e tij.

Kthesa për Taipein dhe Pekinin është se politika e vetë Trumpit mund të ndryshojë nga ajo e kabinetit të tij. Në gjurmët e fushatës, republikani kërkoi që Tajvani t’i paguante SHBA-së për sigurinë dhe hodhi dyshime mbi premtimin e përsëritur të ish-presidentit Joe Biden për të mbrojtur ishullin nga Kina.

Ndërsa nuk ka asnjë tregues se Xi planifikon ta pushtojë së shpejti, një qëndrim më i butë nga mbështetësi më i madh ushtarak i Taipeit mund ta bëjë atë më të prekshëm ndaj fushatave të presionit nga Pekini.

Një tjetër skenar mund të shohë që Kina të marrë pjesë në një marrëveshje të udhëhequr nga Trump me Ukrainën. Udhëheqësi amerikan ka paraqitur mundësinë e një takimi trepalësh me Putinin dhe Xi, në të cilin ai sugjeroi se ata do binin dakord për të ulur përgjysmë shpenzimet e mbrojtjes – një ide që Pekini e hodhi poshtë me shpejtësi.

Ajo që Kina mund t’i ofrojë Ukrainës mbetet e paqartë. Sekretari i Mbrojtjes Hegseth ka thënë se ushtria amerikane nuk do vendoset në territorin e vendit dhe çdo “garanci sigurie duhet të mbështetet nga trupa të afta evropiane dhe jo-evropiane”. Kjo e lë të hapur derën për një lloj force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, e cila mund të përfshijë trupa kineze, megjithëse një dërgim i drejtpërdrejtë nga Kina nuk mund të përjashtohet.

Pekini mund të luajë një “rol udhëheqës” me vendet e Jugut Global dhe ato jashtë NATO-s në ruajtjen e paqes, sipas Zhou Bo, një Kolonel i lartë në pension në Ushtrinë Çlirimtare Popullore dhe bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Sigurinë dhe Strategjinë Ndërkombëtare të Universitetit Tsinghua.

“Duke qenë përfshirja e parë e drejtpërdrejtë e Kinës në sigurinë e Evropës, ajo do promovonte përfytyrimin e Kinës dhe do rriste pozitën e saj ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Kinës ka kundërshtuar të komentojë nëse Pekini do merrte pjesë në ndonjë mision të tillë, kur u pyet.

Ndërprerja e armiqësive në Ukrainë gjithashtu i paraqet Pekinit një “mundësi të rrallë” për të riparuar marrëdhëniet e tij të dëmtuara me Evropën, sipas Yu Jie, studiues i lartë mbi Kinën në Chatham House.

Pekini mund të ofrojë ndihmë në rindërtimin e Ukrainës, duke shfrytëzuar përvojën e tij të madhe në ndërtimin e infrastrukturës jashtë vendit përmes dhënies së kredive të lira nën nismën “Një Brez, Një rrugë” prej 1 trilion dollarësh. Kina sinjalizoi gatishmërinë e saj për përpjekje të tilla në një dokument të vitit 2023 mbi luftën, duke thënë: “Kina është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe të luajë një rol konstruktiv në këtë përpjekje”.

Futja e ushtrisë dhe parave të saj në procesin e paqes të Ukrainës mund të ndërlikojë marrëdhëniet “pa kufi” të Xi me Putinin, nëse Moska do nisë një pushtim tjetër. Ka pak shenja që zhvillimet e fundit midis Rusisë dhe SHBA-së do t’i prishnin ato lidhje, me Xi që planifikon një vizitë në Moskë në maj.

Duke u përballur me një udhëheqës të paparashikueshëm të SHBA-së si Trump, Kina ka më shumë gjasa të luajë lojën me shtrirje në kohë, sipas Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie Russia Eurasia. Në fund, duke përjashtuar çdo problem shëndetësor, Putini është në gjendje të qëndrojë në Kremlin të paktën deri në vitin 2036, ndoshta shumë më të gjatë se Trump.

“Pse do sakrifikonit një marrëdhënie me një partner strategjik, i cili do jetë pranë jush për aq kohë sa jeni në pushtet me dikë që ndryshon mendje gjatë gjithë kohës dhe që nuk është i besueshëm?” shtoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani