Të paktën 12 civilë kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë, sipas autoriteteve vendase, ndërsa objektiva të ndryshëm, përfshirë banesa dhe infrastrukturë civile, janë goditur nga bombardimet.
Ndërkohë, administrata amerikane po ushtron presion mbi Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që të pranojë një marrëveshje për qasjen e SHBA-së në burimet strategjike të mineraleve në Ukrainë, në këmbim të ndihmës së vazhdueshme ushtarake dhe ekonomike, përcjell BBC.
Në një tjetër zhvillim, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po shqyrtojnë mundësinë e një takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, megjithëse Kremlini ka deklaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë çështje.
Raportohet gjithashtu se Shtëpia e Bardhë po shqyrton të gjitha opsionet për një proces paqeje, por sipas korrespondentit të BBC-së në Kiev, James Waterhouse, Ukraina nuk është pjesë e këtyre diskutimeve.
Ndërkohë, SHBA po kundërshton përdorimin e termit “agresor” për Rusinë në një deklaratë të G7-ës, e cila do të shënojë përvjetorin e tretë të nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.
Për më shumë zhvillime, vazhdoni të ndiqni përditësimet e drejtpërdrejta.