Një alarm për bombë shkaktoi panik sot në shkollën “Turgut Ozal” pas një e-maili kërcënues dërguar sekretares së institucionit. Forcat xheniere kryen kontrolle të hollësishme, por nuk u gjet asnjë eksploziv.
Ndërkohë, sektori i krimit kibernetik ka nisur hetimet për të identifikuar burimin e mesazhit. Për arsye sigurie, policia vijon të qëndrojë pranë shkollës, ndërsa nxënësit dhe stafi u evakuuan.\
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.