Avokati Sokol Hazizaj, gjatë një interviste në emisionin Log. në News 24, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mungesën e mbështetjes ligjore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim si i dyshuar për disa vepra penale.
Sipas Hazizajt, Rama është fokusuar kryesisht në fushatat politike dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të siguruar prova që mund të ndihmojnë Veliajn. Ai theksoi se mbrojtja ligjore e kryebashkiakut po mbështetet ekskluzivisht nga ekipi i tij i avokatëve, pa ndihmë nga kryeministri apo figura të tjera politike.
“Po të shohësh deklarimet që po bën sot Rama me “Sy më sy”, po tregon që ai nuk është sebepi i kësaj. Po nuk kam parë asnjë përpjekje të tij në identifikimin e provave në ndihmë të kryetarit të Bashkisë, vetëm politikë po bën. Ai ka disa këshilltarë juridik, kë një korpus të madh, të marri dosjen, të thotë ‘gjeni provat kundër atyre të prokurorëve’.
Kryetari që është i dyshuar, përveç avokatëve të tij, nuk ka asnjë avokat tjetër, duke filluar që nga kryeministri. Do të thotë që e ka lëshuar. Mbrojtjen Veliajt po ia bën vetëm avokati i tij”-deklaroi Hazizaj.