Kryetari i PD, Sali Berisha, prezantoi sot paketën ekonomike të partisë, duke premtuar masa të reja nëse fiton zgjedhjet e 11 majit.
Ai propozoi një kartë konsumatore për pensionistët dhe ata me paga minimale, e cila do të rikthente 450 euro në vit nga TVSH-ja mbi ushqimet dhe ilaçet.
“Me këtë rast, unë siguroj pensionistët se përveç rritjes së pensioneve që njoftova, çdo pensionist do pajiset me kartën e konsumatorit me të cilën ai do marrë 450 euro në vit dhe nuk do jetë bonus siç e quan Edi Rama, por do jetë rikthim i TVSH-së që ata paguajnë për çdo gjë që blejnë në jetën e tyre, duke filluar nga ilaçet, ushqimi, buka dhe çdo gjë tjetër.
Po, do bëhet kjo sepse nuk mund të tolerohet më tutje ky hendek i tmerrshëm që po e copëton shoqërinë shqiptare. Në këto përmasa është tmerrësisht i frikshëm.
Ndaj do jepen, fillimi do jetë karta e konsumatorit me 450 euro për çdo qytetar që merr minimumin jetik, për çdo pensionist dhe çdo rrogëulët. Nuk mjaftojnë këto. Jo! Do të ulet çmimi i energjisë në 7 lekë për kilovat nga 85 që e sollën këta.
Dhe do proporcionohen të gjitha qiratë e banesave sociale në përputhje me rrogën. Një rrogëtar me rrogë 700 mijë lekë, paguan 62 mijë lekë qira në banesë sociale. Një pension me pension 130 euro, paguan 62 euro për qira në ndërtesë sociale. Kjo merr fund. gjithçka do proporcionohet. Në qoftë se pensioni është 4 herë më i ulët se rroga, 4 herë më e ulët do jetë pagesa e qirasë së tij. Nuk mund të trajtohen njerëzit si kavie laboratori. Jo!”
Nderkaq Berisha deklaroi se pensionet minimale do të rriten në 200 euro, ndërsa ato mbi 200 euro do të kenë shtesë 20%.
Çmimi i energjisë do të ulet në 7 lekë për kWh nga 85 lekë deklaroi kreu i PD.Berisha tha se këto masa do të zbatohen brenda tre muajve të parë të qeverisjes, duke i financuar nga buxheti i shtetit.
“PD ka deklaruar dhe deklaron se ndërhyrjen në pensionet e shqiptarëve e konsideron një emergjencë.
Dhe se kjo ndërhyrje do bëhet 3 muajt e parë të qeverisjes.
Tre muajt e parë të qeverisjes do vendoset minimumi jetik. Kjo nënkupton që 57 përqind të pensioneve, të cilat janë pensione jo të plota, por të pjesshme dhe si të tilla nënkuptohet janë nën 170 euro, që të gjitha kalojnë në minimumin jetik 200 euro. Pra, pësojnë një rritje nga 20 gjer në 70 përqind si pensione.
Pensionet mbi 200 euro rriten me 20 përqind.
Kështu që kjo ndërhyrje do bëhet me paratë e buxhetit të shtetit. Do merren paratë nga buxheti i shtetit, do transferohen në fondin e pensioneve. Do shlyhet buxheti që buxhetorët kanë ndaj pensionistëve.
Nuk ka gjë më të turpshme në botë, punonjësit e buxhetit nuk paguajnë sigurime shoqërore. Kjo nuk ndodh kund në botë, përveçse në shtetin e mafies që është Shqipëria. Se kjo duhej të ishte automatike. Ky është një zbulim i ri skandaloz që tejkalon imagjinatën. Merr fund.
Nuk merr qytetar shqiptar rrogë në shtet pa kaluar automatikisht, krahas firmës që firmos për rrogën, të tjerët në sigurimet shoqërore të pensionistëve.
Por, përveç kësaj, do kalojnë në fondin e pensioneve nga buxheti i shtetit i gjithë shuma e domosdoshme për të realizuar këto premtime. Për të realizuar pra minimumin jetik 200 euro dhe rritjen me 20 përqind të pensioneve të tjera mbi 200 euro”, tha ai.