Kreu i SPAK, Altin Dumani, prezantoi sot strategjinë për parandalimin e krimeve elektorale në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile, me fokus zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Dumani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Strategjia e miratuar nga SPAK për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore është tashmë publike dhe e aksesueshme për të gjithë.
“Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrave. Kemi bashkëpunim shumë të mire me zyrën e prokurorit të përgjithshme për krimin zgjedhor, kemi rënë dakord duke përcaktuar edhe mënyrën konkrete për trajtimin e rasteve sipas kompetencave. Hetimi do kryhet në përputhje me ligjin dhe pa ndikim politik.
Krimi zgjedhor edhe ai me financimet jo formale, zgjatja e hetimeve post factum krijon mosbesim. Prandaj SPAK reflektoi me miratimin e strategjisë në përmbushje të detyrimit ligjor. Në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit.
Strategjia është publike dhe aksesohet nga kushdo. Po të shikohet me vëmendje, kemi reflektuar shqetësime e organizatave ndërkombëtare, të OJQ por krahas saj edhe disa masa konkrete që kemi vlerësuar se do i shërbejnë hetimit në kohë reale për hetimin e krimit zgjedhor”, deklaroi Dumani.
Ndërkaq kujtojmë se Kryeministri Rama paralajmëroi dje porkurorinë dhe SPAK-un që të mos survejojë partitë politike gjatë fushatës elektorale.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në Facebook, ai theksoi se lajmet që SPAK ka mbikëqyrur partitë politike janë një lajthitje dhe kërkoi që çdo survejim të ndalet menjëherë.
Rama u shpreh se nuk mund të kthehemi në periudha të errëta ku politikanët të survejohen, duke theksuar se përpjekjet për luftën kundër krimeve elektorale duhet të bëhen nga çdo institucion në pozitat e tij kushtetuese, pa ndërhyrë në liritë dhe të drejtat politike të qytetarëve.
“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet.
Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre. ” – tha Rama dje në rubrikën Sy m’sy në Facebook.