Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të opozitës për të rrëzuar marrëveshjen për ndërtimin e Portit të Durrësit nga kompania e Alabbar.
Vendimi është njoftuar ditën e sotme nga Gjykata Kushtetuese.
Opozita kërkonte shfuqizimin e ligjit të miratuar nga qeveria socialiste për zhvillimin e Portit të Durrësit dhe kthimin e tij në një port turistik.
“Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të Ligjit Nr.79/2022, datë 24.11.2022, “Për Miratimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development Albanian Seaports Development Company, sh.a, dhe NSHMI Development L.L.C. në lidhje me Projektin e Investimit Strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të VKM-së nr. 861, dt.29.12.2021 “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, të pronave të paluajtshme shtetërore, në ZKnr.8514, Bashkia Durrës, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit (Durrës Yachts &Marina)”, dhe për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Autoriteti Portual Durrës te Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, të ndryshuar me VKM nr. 494 dt.21.7.2022, të ndryshuar me VKM nr. 685, dt. 26.10.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 861, dt.29.12.2021, të KM, “Për transferimin në fondin e pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të pronave të paluajtshme shtetërore, në ZK, 8514, Bashkia Durrës, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina dhe Jahtet e Durrësit (Durrës Yachts & Marina)”, të ndryshuar”, të ndryshuar me VKM nr.115, dt. 1.3.2023 “Për transferimin në pronësi të shoqërisë “Albanian Seaports Development Company” sha, të pronave të paluajtshme shtetërore, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme shtetërore, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, me vendndodhje në ZK nr. 8514, Bashkia Durrës. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 79/2022, si dhe të VKM-së nr. 861/2021 të ndryshuar me VKM-në nr.494/2022, të ndryshuar me VKM-në nr. 685/2022, të ndryshuar me VKM-në nr. 115/2023 derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, thuhet në kërkesën e opozitës.
Qeveria shqiptare i dha biznesmenit nga Dubai, Mohamed Alabbar zhvillimin e portit të Durrësit.