Meksika do reformojë kushtetutën pasi SHBA-ja caktoi kartelet si organizata terroriste


Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum tha të enjten se do propozojë reforma kushtetuese që synojnë mbrojtjen e sovranitetit të Meksikës pasi administrata e presidentit amerikan Trump caktoi gjashtë kartele meksikane të drogës si organizata të huaja terroriste.

Masat e SHBA-së kanë shkaktuar shqetësim në Meksikë se mund të jetë një hap paraprak drejt ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në territorin meksikan në ndjekje të karteleve, diçka që Meksika e kundëërshton ashpër.

“Populli meksikan nuk do pranojë në asnjë rrethanë ndërhyrje apo ndonjë  veprim tjetër nga jashtë që mund të jetë i dëmshëm për integritetin, pavarësinë dhe sovranitetin e kombit”, tha Sheinbaum.

Të enjten, përcaktimi i tetë organizatave kriminale me bazë në Amerikën Latine u publikua në Regjistrin Federal të SHBA-së, duke zbatuar një urdhër ekzekutiv të 20 janarit nga Trump. SHBA shpreson se përcaktimi, diçka që zakonisht rezervohet për grupet terroriste me objektiva politike dhe jo ekonomike, do rrisë presionin mbi grupet.