Kanë përfunduar dy ndeshjet e orës 17:30 në Kategorinë Superiore, me sfidën mes Vllaznisë dhe Elbasanit që u mbyll në barazim 1-1. Shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 11-të me Deliun, i cili shfrytëzoi një top të mbetur në zonë për të shënuar. Megjithatë, Elbasani reagoi shpejt dhe në minutën e 24-t, Musta barazoi rezultatin, duke rikthyer entuziazmin te verdheblutë.
Vetëm një minutë më pas, Vllaznia pati mundësinë të rikthehej në avantazh, pasi pas një gjuajtjeje të Grudës, Olberkis preku topin me dorë në zonë, duke i dhuruar shkodranëve një penallti. Megjithatë, Bekim Balaj nuk arriti të shënojë, pasi portieri Abalora priti gjuajtjen e tij, duke mbajtur të pandryshuar rezultatin. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, ndeshja përfundoi 1-1.
Ndërkohë, në takimin tjetër, Bylis realizoi një përmbysje spektakolare ndaj Partizanit, duke triumfuar 3-2, pasi ishte në disavantazh 2-0. Kjo humbje e zbret Partizanin në vendin e katërt, ndërsa Bylis ngjitet përkohësisht në vendin e shtatë.