Zhvillimi i zonave aeroportuale do kufizohet nga lejet e KKTU


Ndërtimi pranë zonave aeroportuale do të mund të bëhet vetëm duke siguruar lejet përkatëse nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Në një vendim të qeverisë të miratuar në mbledhjen e fundit përcaktohen ndarja e zonave në tre kategori si dhe autorizimet që duhet të merren rast pas rasti sipas distancës që ndërtimi do të ketë nga aeroporti. Konkretisht vendimi sqaron se kush janë zonat A, B dhe C pranë aeroporteve.

“Zona e mbrojtur e aeroportit, në kuptim të këtij vendimi, nënkupton zonat territoriale, që shtrihen sipas rrezeve përkatëse, të përcaktuara dhe të ndara më poshtë, në të cilat zbatohen rregulla të posaçme për zhvillimin apo ndërtimin e objekteve: a) Zona “A” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 (dy) kilometrash nga pika e referimit të aeroportit; b) Zona “B” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 2 (dy) kilometrash nga përfundimi i zonës “A”; c) Zona “C” është zona e cila shtrihet në një rreze prej 11 (njëmbëdhjetë) kilometrash nga përfundimi i zonës “B”” thuhet në vendim.

I njëjti parashtron në pikën 6 se tashmë leja për zhvillim apo ndërtim në zonën “A” merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (në vijim “KKTU”), sipas parashikimeve në vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.”.

“Pas pikës 6 shtohen pikat 6/1 dhe 6/2, me këtë përmbajtje:“6/1 Leja për zhvillim apo ndërtim në zonën “B” merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përveç rasteve dhe kërkesave për leje për objektet jo më shumë se 15 metra lartësi nga toka.6/2 Në zonën “C”, për objektet, që janë 30 metra lartësi nga toka ose më shumë, leja për zhvillim apo ndërtim merret pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas parashikimeve në vendimin nr. 408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar” thuhet në vendim.

Këshilli i Territorit gjithashtu duhet që të marrë miratim nga një tjetër autoritet siç është ai për Aviacionin Civil.

Kjo vlen për zonat A dhe B ndërkohë që për ndërtimet në zonën e fundit pra më të largët që është ajo C miratimi kërkohet vetëm nëse ndërtimet janë objekte që kanë lartësi 30 apo më shumë metra nga toka. Miratimi i AAC-së jepet vetëm për zhvillimin apo ndërtimin e objekteve që sjellin pengesa për operimet ajrore./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor