Shpërndanin lëndë narkotike në një klub nate, arrestohen 4 persona në Berat


Policia ka vënë në pranga katër persona të dyshuar për shpërndarje droge në klubin e natës “Pub Star”. Mes të arrestuarve janë edhe pronari i lokalit, me inicialet E.V., dhe bodyguardi i tij, K.D.

Gjatë kontrollit në banesën e pronarit, uniformat blu sekuestruan pesë doza kokaine dhe një peshore elektronike, që dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike.

Ndërkohë, në automjetin e bodyguardit, brenda një veze plastike të ngjashme me ato të lodrave “Kinder”, u gjetën 23 doza të dyshuara kokainë, të fshehura në xhepin e derës së makinës.

Njoftimi i Prokurorisë:

Shpërndanin drogë në klub nate, katër persona arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për ‘Prodhim e shitje të narkotikëve’, sekuestrohen 28 doza kokainë

Katër persona u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, nën akuzë përën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.319, të vitit 2023, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Agjentëve në Mbulim dhe Njësinë nr 1, në qytetin e Dimalit (Berat) në ambjentin e ‘Pub Star’ u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar ‘STAR’, ku dhe u arrestuan shtetasit:

K.I.; K. D; R. Z. dhe E. V.

Në cilësinë e provës materiale u bë e mundur sekuestrimi 28 dozave të dyshuara kokainë të mbeshtjellë me qese të tejdukeshme.

Pesë doza të dyshuara kokainë dhe një peshore elektronike u sekuestruan në banesën e shtetasit E.V ( pronari i Pub Star). Ndërsa në automjetin e shtetasit K.D. (Badigardi Pub Star) në xhepin e derës ju gjetën të futur në një vezë si ato e kinderave me ngjyrë të verdhë, 23 doza të dyshuar kokainë.