Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka kërkuar që SPAK të marrë masa ligjore ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për përfshirjen e tij në aferën e inceneratorëve.
Tabaku shton se Komisioni Hetimor ka zbuluar një zinxhir abuzimesh që përfshin ministra dhe ish-zv/kryeministrin dhe kërkon që Veliaj të përballet me drejtësinë, njësoj si Arben Ahmetaj dhe të tjerë të përfshirë në këtë skandal.
Ajo ka postuar në rrjetet e saj sociale një video ku kryebashkiaku Veliaj dëshmoi për inceneratorin e Tiranës në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.
“Lexo të lutem vendimin numër 106 të këshillit bashkiak që është vetëm miratimi vjetor buxhetit të shtetit i cili i thotë kryetarit të bashkisë tiranë që ti ke këtë buxhet vjetor ku landfilli I Sharrës administrohet nga bashkia tiranë dhe nuk ka fonde për landfillin e Sharrës.
Ju lutem i kujtoj të gjithë qytetarëve por njëkohësisht dhe të gjithë anëtarëve të komisionit që zoti Veliaj në dëshmi këtu bëri një deklaratë të rremë.
Unë kam këtu vendimi numër 106 të Këshillit Bashkiak të Tiranës i cili është për buxhetin e bashkisë I cili sic gënjeu z.Veliaj nuk e përmend landfillin e Sharrës është vendimi i cili miraton buxhetin vjetor. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka një autoritet dhe një përgjegjësi për të gjitha fondet e Bashkisë Tiranë Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton angazhimet buxhetore miraton detyrimet e Bashkisë Tiranë.
Këshilli Bashkiak ndryshe nga pika pesë ka përgjegjësi që nuk i ka kryetari Bashkisë Tiranë”
Postimi:
3 vjet më parë Veliaj u soll plot arrogancë. Sot është koha që ai të akuzohet për gënjeshtrat e turpshme për inceneratorët!
Tre vjet më parë, në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve dëshmoi Erion Veliaj—njeriu që me një firmë vendosi që 90 milionë euro t’u jepeshin tre personave me duar në xhepa për një incenerator inekzistent.
Në atë dëshmi të gjatë mbi tre orë, Erion Veliaj pranoi, me arrogancën e dikujt që e mendon veten të paprekshëm, se kishte shkelur ligjin duke akorduar 90 milionë euro pa miratimin e Këshillit Bashkiak, në kundërshtim të hapur me ligjin që në fund kapi vlerën 390€ mln euro!
Më pas, në media dhe dalje publike, rrihte gjoksin me krenari, ndonëse video, prova dhe dëshmi tregonin qartë se ai jo vetëm kishte shkelur ligje, por kishte shpikur edhe rregulla të reja për t’i akorduar monopole pronarëve të inceneratorit të Tiranës.
Krijoi një superfuqi të tillë që vetëm arroganca e një pushteti të korruptuar mund ta ofrojë.
Tre vite më pas, provat dhe faktet për korrupsionin në aferën e inceneratorëve—një instalacion perfekt i një sistemi të kalbur dhe të korruptuar—presin ende një akuzë.
Prova dhe shkelje ligjore që janë po aq të dukshme sa edhe kjo dosje korrupsioni, e cila ka zbuluar një mikrokozmos të sistemit korruptiv që Veliaj ka ndërtuar.
Prandaj, kërkoj dhe shtyj SPAK-un të çojë përpara drejtësisë dhe në bankën e të akuzuarve Erion Veliajn, njësoj si me Ahmetajn dhe cilindo tjetër të përfshirë në aferën e shekullit.
Komisioni Hetimor ishte një gur themeli në këtë çështje, duke zbuluar një zinxhir të gjatë abuzimesh, me disa ministra dhe zv/kryeministrin të përfshirë, si dhe duke ekspozuar çarjen e një mazhorance që po përçahet jo për parime, por për pazare.
Një fitore e vogël për opozitën, por një fitore edhe më e madhe për shqiptarët. Ndaj, drejtësia duhet të veprojë.