Emigrimi i mjekëve ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku vendet e zhvilluara lehtësojnë kushtet e transferimit, ndërkohë që Shqipëria nuk po mundet të rrisë financimet, të përmirësojë ambientet e punës dhe mundësitë për karrierë të mjekëve të rinj.
Një studim i fundit nga ekspertët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, në një anketë që përfshiu 729 mjekë, zbuloi se gjysma e tyre në moshën 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të emigrojnë nga vendi.
Trendi i largimit të mjekëve po rritet, ndërkohë që nevojat për shërbimet shëndetësore në vend po shtohen, prej një popullsie që po plaket shpejt.
Potenciali natyror i Shqipërisë, me gjeografi të pasur dhe klimë të mrekullueshme mesdhetare, i kombinuar me rritje ekonomike mbi mesataren e dekadës, duket se është i pamjaftueshëm për të frenuar rrjedhën e emigracionit në vend, në të gjitha nivelet, përfshirë edhe mjekët.
Plakja e popullsisë në Europë vit pas viti po shton presionin për rritje të kërkesës për fuqi punëtore në fushën e mjekësisë dhe nga ana tjetër, financimet e ulëta për shëndetësinë në vendin tonë po bëhen shkak për të mbajtur në nivele të larta emigrimin e mjekëve në periudhën në vijim.
Një studim i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, i udhëhequr nga profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, zbuloi se më shumë se gjysma e mjekëve të moshës 24-40 vjeç dëshirojnë të largohen, ndërsa në të gjitha moshat, 4 në 10 mjekë kanë plan të largohen nga vendi.
Largimi i mjekëve do të krijojë pasoja të shumëfishta, nga humbja e investimeve publike në kapitalin njerëzor deri te mangësitë në shërbimet shëndetësore në një popullsi që po plaket dhe do të rrisë nevojën për më shumë shërbime shëndetësore.
Studimi, i shoqëruar me anketa dhe intervista që vazhduan për disa vite deri në 2024, zbuloi se trendi i largimit të mjekëve do të rritet në vitet në vijim, si pasojë e dëshirës së lartë për emigrim në moshat e reja të trupës mjekësore.
Ekspertët pohojnë se stoku i mjekëve shqiptarë në botë deri më tani ka arritur në rreth 2500, ku gati gjysma janë larguar gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që parashikohet që të largohen së paku edhe 930 mjekë në vitet në vijim.
Nga intervistat me 729 mjekë, arsyet kryesore për të emigruar janë pagat e ulëta në Shqipëri, kushtet e këqija të punës dhe mungesa e perspektivës për karrierë në Shqipëri, mundësitë për specializim dhe trajnim të mëtejshëm jashtë vendit dhe ndjenja e përgjithshme se në të gjitha aspektet e jetës “nuk ka të ardhme në Shqipëri”.
Për sa i përket destinacionit të dëshiruar, vendet kryesore, sipas preferencës, janë Gjermania, SHBA, Britania e Madhe dhe Italia.
40% e mjekëve dëshirojnë të largohen
Të dhënat e sondazhit me 729 mjekë tregojnë se rreth 40% e tyre duan të emigrojnë. Rreth 53% e mjekëve të moshës 24–40 vjeç synojnë të emigrojnë. Pas moshës 40 vjeç, dëshira për t’u larguar ulet.
Autorët pohojnë se këto rezultate, krahasuar me të dhënat e sondazhit të vitit 2018, tregojnë një nivel më të lartë gatishmërie për të larguar nga vendi.
Të dhënat për migrimin potencial janë pjesërisht tregues të tendencave aktuale të migracionit në të ardhmen, pasi jo gjithnjë ata që dëshirojnë të largohen emigrojnë. Dëshira për të migruar pasqyron në mënyrë realiste “pakënaqësinë” nga kushtet e përgjithshme të jetës në vendin tonë.
Për të kaluar nga migrimi i synuar në lëvizje reale, duhet të plotësohen disa kushte, duke përfshirë përgatitjen reale për të migruar dhe aftësinë për të transformuar dëshirën në realitet.
Në rastin e mjekëve, këto parakushte përfshijnë informacionin e duhur për vendin e destinacionit, mundësitë profesionale, posedimin e dokumenteve të nevojshme (vizë, leje pune, diploma mjekësore të njohura në vendin e destinacionit etj.), njohjen e gjuhës dhe afate të qarta për emigracionin. Pa këto parakushte, është sfiduese për mjekët të realizojnë qëllimin për të emigruar.
24% e mjekëve ikin brenda tre viteve
Anketa zbuloi se rreth 24% e mjekëve të intervistuar (729) pohuan se do të emigronin brenda tre viteve. Studimi zbuloi se rreth 40% e mjekëve të rinj llogarisin të ikin brenda këtij harku kohor.
Një qasje tjetër për matjen e gjasave reale të migrimit merr në konsideratë një sërë faktorësh të përmendur tashmë, si aftësia për të marrë një vizë dhe një kontratë pune në vendin e dëshiruar, aftësia në gjuhën e atij vendi, marrja e informacionit të përgjithshëm për vendin dhe pasja e një rrjeti të afërmish ose miqsh në vendin pritës.
Bazuar në rezultatet e sondazhit, rreth 930 mjekë do të emigronin gjatë viteve të ardhshme, që përfaqëson 17% të totalit të “stokut”, me një peshë të madhe te largimi i mjekëve më të rinj.
Autorët vënë në dukje se ky vlerësim duhet të interpretohet me kujdes, pasi, ndër të tjera, varet nga evolucioni i kushteve socio-ekonomike në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, dhe nga hapjet e rekrutimit në një gamë të gjerë vendesh të BE-së dhe OECD-së.
Kastrioti, një mjek i moshës së mesme i njohur në Tiranë, përshkruan se si është i ndarë mes përgjegjësive familjare në Shqipëri dhe perspektivës më të mirë të punës dhe pagës më të lartë jashtë vendit.
“Përpara se të futem në specializimin tim, kam krijuar një reputacion të mirë dhe kam një pagë të mirë këtu në Shqipëri në krahasim me mjekët e tjerë. Por nëse kushtet do të ishin të përshtatshme, do të mendoja të emigroja.
Nga ana tjetër, me kalimin e moshës, familja bëhet më e rëndësishme”.
Për shumë mjekë shqiptarë, veçanërisht ata në moshë të mesme, emigrimi shihet disi si një “plan B”, një opsion që mund të kthehet shpejt në “plan A” nëse ndryshojnë kushtet personale, familjare apo socio-ekonomike./MONITOR