Disa mijëra mbështetës të partisë ultranacionaliste të Bullgarisë Rilindja u përleshën me policinë të shtunën ndërsa përpiqeshin të sulmonin ndërtesën e një misioni të Bashkimit Evropian gjatë një proteste kundër planeve të vendit për të futur në përdorim euron vitin e ardhshëm.
Protestuesit antiqeveritarë brohorisnin “Dorëheqje” dhe “Jo Euros”. Ata hodhën bojë të kuqe, fishekzjarre dhe molotov ndaj ndërtesës së BE-së në kryeqytetin Sofje, duke i vënë flakën derës së përparme përpara se policia t’i largonte.
Rreth 10 oficerë policie pësuan lëndime të lehta dhe rreth gjashtë persona u arrestuan, tha një zyrtar i lartë i policisë për mediat pas protestës, shkruan Reuters.
Qeveria dënoi sulmin ndaj ndërtesave të BE-së, duke thënë në një deklaratë se sulme të tilla “janë të papranueshme dhe bien në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës”.
Protestat nisën para Bankës Qendrore të Bashkimit Evropian, me protestuesit që u vunë flakën figurinave të presidentes së Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde dhe zyrtarëve të tjerë.
Disa valëvitnin flamujt bullgarë, të Bashkimit Sovjetik ose të Gjermanisë Lindore, ndërsa të tjerë mbanin pankarta që shkruanin “Ne nuk e duam euron”.
“Ne nuk duam që pavarësia financiare bullgare të shkatërrohet. Ne duam të mbajmë levin bullgar. “Ne jemi këtu për të mbrojtur lirinë tonë.” tha për mediat Kostadin Kostadinov, kryetari i partisë Rilindja.
Qeveria e re e Bullgarisë, e cila u miratua muajin e kaluar pas zgjedhjeve të parakohshme të tetorit, të shtatat në katër vjet, ka riafirmuar angazhimin e vendit për t’u bashkuar me eurozonën vitin e ardhshëm.
Kryeministri Rosen Zhelyazkov ka thënë se buxheti i shtetit për vitin 2025 do vendosë një deficit prej rreth 3%, duke hapur rrugën për futjen e euros në 1 janar 2026.
Megjithatë, vendi ende duhet të përmbushë një objektiv të zgjeruar inflacioni përpara një shqyrtimi të ofertës së vendit.
Bullgarët janë të ndarë në lidhje me futjen e euros, me shumë që shqetësohen se kjo do shkaktojë rritje të çmimeve, siç ndodhi në Kroaci në 2023.
Rilindja që ka akuzuar bankën qendrore dhe agjencinë kombëtare të statistikave për “fabrikim të të dhënave” për të mundësuar futjen e euros, ka bërë thirrje për një debat të gjerë publik mbi efektet ekonomike të futjes së saj.
Ekonomistët thonë se Bullgaria, shteti më i varfër i BE-së ku leva ka qenë prej kohësh e lidhur me euron, do tërhiqte më shumë investime të huaja nëse do miratonte monedhën evropianë dhe do siguronte përmirësime të vlerësimit të kredisë që mund të ulin kostot e financimit të borxhit.