Gjermanët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme të dielën që pritet të shohin konservatorët e Friedrich Merz-it të rikthehen në pushtet dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) të marrëë rezultatin e saj më të mirë ndonjëherë.
Blloku i Merz-it i CDU/CSU-së ka udhëhequr vijimësisht sondazhet, por nuk ka gjasa të fitojë shumicën duke pasur parasysh peizazhin e copëzuar politik të Gjermanisë, gjë që sipas gjasave do e shtyjë drejt koalicionit.
Këto negociata priten të jenë të ndërlikuara pas një fushate e cila shfaqi ndarjet e mprehta mbi emigrimin dhe mënyrën se si të trajtohet AfD-ja në një vend ku politika e ekstremit të djathtë mbart një stigmë veçanërisht të fortë për shkak të së kaluarës së saj naziste, shkruan Reuters.
Kjo mund ta lërë kancelarin e papëlqyer Olaf Scholz në një rol kujdestar për muaj të tërë, duke vonuar politikat e nevojshme urgjente për të ringjallur ekonominë më të madhe të Evropës pas dy viteve të njëpasnjëshme tkurrjeje dhe ndërsa kompanitë luftojnë kundër rivalëve globalë.
Do krijonte gjithashtu një boshllëk lidershipi në zemër të Evropës, që ka një mori sfidash, duke përfshirë kërcënimet e presidentit amerkan Donald Trump për një luftë tregtare dhe përpjekjet për të përshpejtuar një marrëveshje armëpushimi për Ukrainën pa përfshirjen evropiane.
Gjermania, e cila ka një ekonomi të orientuar nga eksporti dhe e cila mbështetet prej kohësh te SHBA-ja për sigurinë e saj, është veçanërisht e cenueshme.
Gjermanët janë më pesimistë për standardet e tyre të jetesës tani se në çdo kohë që nga kriza financiare në 2008. Qëndrimet ndaj emigracionit janë ngurtësuar gjithashtu, një ndryshim i thellë në ndjenjën e publikut gjerman që nga kultura e saj e pritjes së emigranyëve gjatë krizës së emigrantëve në Evropë në 2015.