Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Zayed Al Nahyan mbërriti mesditën e sotme në Tiranë, ku u prit në aeroportin e Rinasit nga kryeministri Edi Rama.
Zayed Al Nahyan u nderua në një ceremoni mireseardhjeje në Pallatin e Brigadave dhe më pas të dy personalitetet zhvilluan një takim kokë më kokë.
Në kuadër të kësaj vizite u shkëmbyen marrëveshjet e nënshkruara të bashkëpunimit mes palëve, konkretisht:
-Marrëveshja Kuadër për Veprim mes Masdar, TAQA, KESH dhe OST, që u shkëmbyen mes Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe kryetarit të MASDAR Sulltan Al Jaber.
– Letër Angazhimi për Projektin Albania Smart City ndërmjet “Presight AI Ltd” dhe Ministrisë së Brendshme e Republikës së Shqipërisë, të shkëmbyera mes Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Kryetarit të “Presight AI Ltd” Sulltan Al Jaber.
Marrëveshjet u shkëmbyen në një ceremoni të posaçme në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit të EBA Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Marrëveshja e parë e nënshkruar me KESH dhe OST ka të bëjë me zhvillimin e fushës së energjisë së rinovueshme në Shqipëri, ndërsa e dyta lidhet me përdorimin e kamerave inteligjente duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale dhe teknologji të tjera më të avancuara për të përmirësuar sigurinë publike dhe menaxhimin e trafikut rrugor.
“Shkëmbimi i marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimi i letrës së angazhimit për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë midis “Presight AI Ltd””, shkruajti Rama në rrjetet sociale.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, rreth orës 17:00, presidenti Al Nahyan iu drejtua Rinasit, ku u largua nga Shqipëria pas vizitës 2 orëshe në Tiranë.
Ditën e djeshme, duke njoftuar vizitën e presidentit të Emirateve Arabe, kryeministri Rama theksoi se kjo vizitë në Shqipëri shënon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti të forcuar kohët e fundit.
“Vizita e presidentit të Emirateve dhe njërit prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme shënjon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti që është forcuar shumë kohët e fundit”, tha Rama dje.
Kryeministri Rama tha se Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan nxiti marrëveshjen për portin turistik të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në të gjithë rajonin.
Po ashtu me mbështetjen e tij KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës “Masdar Group, kanë hyrë në rrugën e bashkimit, në një plan tejet ambicioz, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbërt.
Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij.