Kryetarja e Kuvendit Spiropali shkruan se pret me shpresë shërimin e Papa Franceskut, i cili prej disa ditësh ndodhet në gjendje të rëndë në një spital të Romës.
Ajo thekson se lutet për shëndetin e Atit të Shenjtë dhe se udhëheqja e tij shpirtërore dhe ajo e Kishës Katolike për botën është e rëndësishme, sidomos këto kohë.
“Shenjtëri Papa Françesku, Në këto ditë kur nga e gjithë bota arrijnë mesazhe e lutje për shëndetin Tuaj, po J’u dërgoj një të tillë nga një vend i dashur për Ju, që e zgjodhët të parin në Europë për ta vizituar. E përcjell këtë mesazh e këtë lutje për shëndetin Tuaj në emër të një fjale: “pritje”. Pritja është një fjalë e fuqishme e mjaft kuptimplotë në Ungjill. Shqiptarët Ju priten me dashuri e zemër të ngrohtë në shtatorin e 2014-ës. Pritën martirët e besimit bekimin e shpalljen e lumnimit Tuaj për ta.
E tani me plot shpresë presim edhe ne shërimin Tuaj! Udhëheqja shpirtëtore e Kishës Katolike dhe referenca Juaj morale për krejt botën është përherë e rëndësishme, por veçanerisht sot kur kohërat po dëshmojnë se asnjë arritje shoqërore e politike në mbrojtje të së mirës së përbashkët dhe të dinjitetit të njeriut nuk duhet të merret kurrë e mirëqenë.” – shkruan Spiropali.