Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në një tubim me shqiptarët në Athinë, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për pritjen vëllazërore që ka marrë nga shqiptarët dhe autoritetet greke.
Ai theksoi se Athina ka treguar bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve, duke theksuar se qyteti ka më shumë shqiptarë se çdo qytet tjetër jashtë Shqipërisë.
“Por unë dua të përulem me nderimin më të madh sot, para qytetarëve grekë të këtij qyteti, sepse miq, sepse Athina në këto vite ka treguar zemrën më të hapur, bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve.
Ajo ka sot shqiptarë më shumë se në çdo kryeqytet, se në çdo qytet tjetër jashtë Shqipërisë.
Miq!
13 vite më parë kam qenë këtu dhe mësova se, shqiptarët në këtë qytet posedonin 360 mijë apartamente, shqiptarët në këtë qytet, janë bërë pjesë e këtij qyteti. Edhe njëherë e theksoj, qytet i përjetshëm ndaj dhe vetëm mirënjohje për qytetarët dhe autoritet e këtij vendi”, tha Berisha.
Mandej, kreu i PD-së u zotua për finalizimin e marrëveshjes së detit me Greqinë, ndërsa theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë shumë më të mira.
“PD firmosi marrëveshjen e detit. Ajo është marrëveshja më e mirë qe ka firmosur Shqipëria me fqinjët e saj. Do të ishte absurde të mendoje të firmosje ku Greqia të humbiste apo Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka marrëveshje ku fitojnë të dy palët. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë e Greqisë ranë dakord të shkonim në Hagë dhe të merrnim sanksionim. Çfarë bëri? Jo tha do bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan. Negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të jashtëm se nuk e firmosim dot se kemi një vendim të GJK. U garantoj ju se ajo marrëveshje do të finalizohet dhe marrëdhëniet Shqipëri Greqi do të jenë shumë më të mira.”- tha ai.