Trump përshëndet rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani: Fillimi i fundit të politikave të çmendura të majta


Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve në Gjermani, duke i cilësuar ato si një fitore e madhe për konservatorët dhe një shenjë e një ndryshimi politik global.

Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump përgëzoi atë që e quajti “Partia Konservatore në Gjermani”, duke iu referuar CDU/CSU, e cila kryeson zgjedhjet sipas projeksioneve, sipas CNN.

Në reagimin e tij, Trump e portretizoi rezultatin si një refuzim të politikave progresiste mbi energjinë dhe emigracionin, duke bërë një paralelizëm mes klimës politike gjermane dhe asaj amerikane.

Ai sugjeroi se ky rezultat përforcon tendencën globale drejt forcave konservatore, një mesazh që përputhet me narrativën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA. 

 “Populli i Gjermanisë foli qartë! Ky është fillimi i fundit për politikat e çmendura të majta mbi emigracionin dhe energjinë. Një ndryshim i madh po ndodh jo vetëm në Evropë, por në gjithë botën!”  – shkruajti Trump.

Me rezultatet e zgjedhjeve të shpallura, ndryshimi i ekuilibrave politikë në Gjermani është tashmë i qartë.

Megjithëse CDU ka dalë e para, ndikimi i Trump dhe mbështetja e figurave si Musk dhe JD Vance për forcat anti-establishment ka hapur një front të ri politik.

Tani pritet të shihet se si Friedrich Merz do të manovrojë mes kërkesave të bazës konservatore dhe përpjekjeve për të mbajtur Gjermaninë të ankoruar në BE dhe vlerat tradicionale evropiane.