Apple njoftoi të hënën se do të investojë 500 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme, duke përfshirë ndërtimin e një fabrike gjigante në Teksas për serverët e inteligjencës artificiale dhe krijimin e rreth 20,000 vendeve të reja pune në fushën e kërkimit dhe zhvillimit.
Ky investim përfshin blerjet nga furnitorët amerikanë, prodhimin e serialeve dhe filmave për platformën Apple TV+, si dhe projekte të tjera të kompanisë në SHBA, shkruan Reuters.
Apple nuk dha detaje mbi se sa nga ky investim ishte tashmë i planifikuar për furnitorët e saj amerikanë, mes të cilëve është Corning, kompania që prodhon xhamin për iPhone në Kentucky.
Njoftimi vjen pas raportimeve se CEO i Apple, Tim Cook, u takua javën e kaluar me Presidentin Donald Trump. Shumë produkte të Apple, të montuara në Kinë, mund të përballen me tarifa prej 10%, të vendosura nga Trump në fillim të këtij muaji. Megjithatë, Apple kishte siguruar më parë disa përjashtime nga këto tarifa gjatë administratës së parë të Trump.
Sipas analistit të D.A. Davidson, Gil Luria, ky angazhim “përfaqëson një gjest politik ndaj administratës Trump” dhe se mbetet e paqartë nëse njoftimi sinjalizon një përshpejtim të investimeve apo është thjesht një përsëritje e planeve ekzistuese.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump falënderoi Apple dhe Tim Cook, duke thënë se ky vendim tregon besimin e kompanisë ndaj administratës së tij.
Apple konfirmoi gjithashtu se do të bashkëpunojë me Foxconn për të ndërtuar një fabrikë 250,000 metra katrorë në Houston, ku do të montohen serverët për Apple Intelligence – një grup funksionesh të inteligjencës artificiale që ndihmojnë përdoruesit të shkruajnë e-maile dhe të kryejnë detyra të tjera. Aktualisht, këta serverë prodhohen jashtë SHBA-së.
Apple gjithashtu planifikon të dyfishojë Fondin e Prodhimit të Avancuar, nga “5 miliardë në 10 miliardë dollarë”, ku një pjesë e kësaj rritjeje do të jetë një investim prej disa miliarda dollarësh për prodhimin e çipave të avancuar në fabrikën e “Taiwan Semiconductor Manufacturing Co (TSMC)” në Arizona.
Muajin e kaluar, Apple filloi prodhimin masiv të çipave të dizajnuar prej saj në këtë fabrikë.
Ndikimi i Trump në sjelljen e TSMC në Arizona dhe nxitja e legjislacionit që u bë CHIPS Act, për të forcuar prodhimin e gjysmëpërçuesve në SHBA, ishin disa nga iniciativat më të mëdha industriale gjatë mandatit të tij të parë.
Si pjesë e angazhimit të saj për zhvillimin e fuqisë punëtore, Apple do të hapë një akademi të prodhimit në Michigan, ku inxhinierët e saj, së bashku me pedagogë nga universitetet lokale, do të ofrojnë kurse falas për biznese të vogla dhe të mesme prodhuese në fusha si menaxhimi i projekteve dhe optimizimi i proceseve prodhuese.
Me këtë plan të madh investimesh, Apple synon të zgjerojë praninë e saj në SHBA, duke krijuar mundësi të reja pune dhe duke forcuar zinxhirin e furnizimit në vend.