BE-ja miraton paketën e 16-të të sanksioneve: Po e dobësojmë edhe më shumë Rusinë


Bashkimi Evropian miratoi paketë e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë të hënën, teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump po shtyn për negociata mbi të ardhmen e Ukrainës.

“Ministrat e Jashtëm sapo miratuan paketën e 16-të të sanksioneve kundër Rusisë”, tha në një deklaratë shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

“Ajo godet gjithçka, nga anijet e flotës në hije që transporton naftë e gaz, te kontrollorët e çipave të përdorur për të kontrolluar dronët. Tani kemi sanksionet më të gjera ndonjëherë, duke dobësuar përpjekjet luftarake të Rusisë”, shtoi ajo.

Paketa, e miratuar në përvjetorin e tretë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, synon importet e aluminit, anijet e flotës në hije dhe eksportet e kimikateve, kromit dhe materialeve të tjera të përdorura në veglat e makinave precize, shkruan Politico.

Ai gjithashtu përfshin një ndalim për servisimin e rafinerive të naftës dhe gazit, por nuk përfshin një ndalim të plotë të gazit natyror të lëngshëm rus, mes diskutimeve me Uashingtonin rreth rritjes së mundshme të eksporteve të LNG-së të SHBA-së në Evropë.

Administrata Trump ka ndjekur negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke ngritur shqetësime midis krerëve evropianë për ndikimin e mundshëm në strategjinë e tyre të sanksioneve.

“Rusia dhe populli i saj po paguajnë një çmim për veprimet e Putinit”, thanë presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola, ai i Këshillit Europian António Costa dhe ajo e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në një deklaratë të përbashkët duke shpallur sanksionet.

“Në një mjedis sfidues ndërkombëtar dhe gjeopolitik, ne theksojmë rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit transatlantik dhe global me Ukrainën”, shtohet në deklaratë.