Kreu i PD-së përsëriti sot akuzat ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani teksa tha se ka aministuar krimin elektoral të zyrtarëve të shtetit.
Në bashkëbisedimin me gazetarët në selinë blu, ai tha se Dumani drejton një prokurori politike dhe fjalimi i zv.presidentit amerikan Vance në Mynih e damkosin kreun e SPAK-ut Dumani dhe kryeministrin Rama për veprimtarinë e tyre.
“Ka amnistuar krimin elektoral të zyrtarëve të shtetit. A ka njeri në botë që nuk e quan politike këtë prokurori. Janë tre rezoluta ndërkombëtare që damkosin Altin Dumanin dhe SKAP-in e tij. Nuk janë vetëm tre rezoluta ndërkombëtare, po edhe fjalimi i zv.presidentit amerikan Vance, i cili tha se armiku juaj nuk është Rusia e Kina po keni armik të brendshëm. Ai armik mbyll media, censuron kundërshtarët, burgos kundërshtarët. A nuk ka arrestuar Shqipëria tre krerë të opozitës. Ia anulojnë mandatet me gjykatë, a nuk ia morën Fredi Belerit mandatin me gjykatë. Gjjithka që tha Vance të çojnë te Edi Rama dhe Altin Dumani. Me ardhjen e tij në krye të SKAP-it nisi kjo veprimtarui kriminale e SKAP-it. Dumani është një Benjamin i Arben Rakipit dhe Ulsi Manjas. Pasi të zbërthehen të gjitha ndërhyrjet. Do e kenë ligjore Arben Rakipi, Edi Rama, Altin Dumani, Ulsi Manja.” – tha Berisha.
Pak ditë më parë kryeministri Rama i kërkoi SPAK-ut që të ndalë menjëherë përgjimet ndaj partive politike në fushatë duke e cilësuar lajthitje lajmin mbi përgjimin e mundshëm.
Kreu i SPAK-ut Dumani, një ditë më pas iu përgjigj kryeministrit Rama në distancë duke thënë se asnjë zyrtar i administratës nuk duhet të ketë frikë nëse është në përmbushje të detyrës së tij.