Humb jetën një 3-vjeçar në Shkodër, motra e tij në gjendje të rëndë


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Shkodër, pasi një fëmijë 3-vjeçar nga Mjeda e Shkodrës ka humbur jetën, ndërsa motra e tij 7-vjeçare është në gjendje të rëndë.

6-vjeçarja është dërguar me urgjencë në pediatrinë e QSUT për mjekim të specializuar, përcjell Balkanweb.

Një ditë më përpara djali tre vjeçar, me simptoma të dyshuara virale, është dërguar në Spitalin e Shkodrës dhe pasi ka bërë një serum është larguar në banesën e tij bashkë me prindërit.

Të nesërmen është dërguar sërish në spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore dhe brenda pak minutash ka ndërruar jetë.

Ndërkohë edhe motra e tij 6 vjeçe është prekur nga ky infeksion dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në pediatrinë e Tiranës. Aktualisht është e paqartë se cila është arsyeja që shkaktoi vdekjen e tre vjeçarit dhe infektimin e motrës së tij.

Në Tiranë janë duke u bërë analizat toksikologjike për të dy rastet dhe priten edhe përgjigjet zyrtare për të përcaktuar shkakun ndërsa burime pranë spitalit të Shkodrës përjashtojnë infektimin me meningit të dy të miturve.