Roma shkëlqen ndaj Monzës dhe vazhdon serinë pozitive në Serie A


Serie A mbylli këtë të hënë javën e 26-të, me Romën që dominoi Monzën në “Olimpico”, duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-0. Verdhekuqtë zhvilluan një ndeshje bindëse, ndërsa miqtë vazhdojnë të vuajnë në fundin e tabelës.

Sfida u zhbllokua pas vetëm 10 minutash nga Saelemaekers, ndërsa në minutën e 32-të, Shomurodov realizoi golin e dytë, duke kompletuar një paraqitje të shkëlqyer me gol dhe asist. Kjo avantazh i dha qetësi trajnerit Ranieri, ndërsa Roma vazhdoi të diktojë ritmin.

Në pjesën e dytë, verdhekuqtë ruajtën dominimin dhe e çuan rezultatin në 4-0 me golat e Angelinos dhe Cristantes. Me këtë fitore, Roma ngjitet në kuotën e 40 pikëve, duke u renditur në vendin e nëntë, vetëm dy pikë larg zonës evropiane. Skuadra kryeqytetase regjistron tashmë dhjetë ndeshje radhazi pa humbje në kampionat, ndërsa disfata e fundit daton më 15 dhjetor, kur u mposht nga Como me rezultatin 2-0.

Në anën tjetër, Monza vazhdon krizën e rezultateve, duke pësuar humbjen e 16-të sezonale. Me vetëm 14 pikë, ekipi mbetet në vendin e fundit të renditjes, duke e pasur gjithnjë e më të vështirë mbijetesën.