Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin “Silent Watch” pas dy muajsh hetime, duke arrestuar dy gra në Sarandë, të cilat shfrytëzonin për prostitucion një 16-vjeçare.
S. O., 42 vjeçe, dhe L. D., 39 vjeçe, u kapën në flagrancë gjatë kontrolleve në dy lokale në lagjet nr. 3 dhe nr. 4 të Sarandës, ku u sekuestrua edhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njoftimi:
DVP Vlorë/Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Silent Watch”.
Vihen në pranga 2 shtetase që shfrytëzonin një shtetase të mitur, për prostitucion.
Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 2 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u finalizua operacioni policor i koduar “Silent Watch”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetaset:
S. O., 42 vjeçe dhe L. D., 39 vjeçe, të dyja banuese në Sarandë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këto shtetase kanë shfrytëzuar për prostitucion, një 16-vjeçare. Gjatë kontrolleve në dy lokale të marra me qira prej tyre, në lagjet nr. 3 dhe nr. 4, në Sarandë, në të cilat ushtrohej prostitucioni, u gjet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.