Në përvjetorin e tretë të nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës, liderë botërorë u mblodhën në Kiev për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj vendit të sulmuar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti qëndresën e popullit të tij, duke e quajtur atë një shembull të “heroizmit absolut”.
Në një deklaratë publike, Zelenskyy theksoi se Ukraina ka përballuar tre vite luftë me vendosmëri dhe sakrificë të madhe.
“Tre vite rezistence. Tre vite mirënjohjeje. Tre vite heroizmi absolut i ukrainasve. Jam krenar për Ukrainën!”, shkroi ai në një postim shoqëruar me një video që ilustron jetën e përditshme të qytetarëve dhe ushtarëve në front, përcjell The Guardian.
Në ceremoninë e zhvilluar në Kiev morën pjesë kryeministrja daneze Mette Frederiksen, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, presidenti i Letonisë Edgars Rinkevics, zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidenti lituanez Gitanas Nauseda dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, të cilët theksuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe dënuan ashpër agresionin rus.
Ministri i Jashtëm i Turqisë deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të presë bisedime për paqe midis Ukrainës dhe Rusisë, duke shprehur gatishmërinë për ndërmjetësim.
Ndërsa Keir Starmer vuri në dukje se Donald Trump ka “ndryshuar bisedën globale” dhe ka krijuar “një mundësi të re” në politikën ndërkombëtare. Ai gjithashtu siguroi Ukrainën se populli britanik e mbështet atë “sot dhe çdo ditë”.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping zhvilluan një bisedë telefonike, ku Putin dha një përditësim mbi bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se veprimet ushtarake në Ukrainë nuk do të ndalen derisa Rusia të arrijë një rezultat të kënaqshëm.